Partia Demokratike, Dega Elbasan, ka intensifikuar takimet me strukturat në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një takim i rëndësishëm u zhvillua së fundmi në lagjen “5 Maji”, ku morën pjesë drejtuesi politik i qarkut, z. Tomor Alizoti, kryetari i PD Elbasan, z. Blendi Himçi, deputeti Qani Xhafa dhe anëtarja e grupit të punës, znj. Alesia Balliu.
Në këtë takim, u theksua se lagjja “5 Maji” ka mbetur për vite me radhë jashtë vëmendjes së pushtetit qendror dhe lokal, duke u përballur me mungesa të shumta në infrastrukturë dhe shërbime. Për këtë arsye, Partia Demokratike u prezantua si alternativa e vetme që mund të sjellë zhvillim dhe progres për banorët e kësaj zone, duke ofruar një vizion të qartë për të ardhmen.
Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuara ishte sensibilizimi i votuesve nga diaspora për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Përfaqësuesit e PD theksuan se diaspora ka një peshë të madhe në këto zgjedhje dhe se angazhimi i saj është vendimtar për suksesin e partisë.
Partia Demokratike u bëri thirrje strukturave dhe mbështetësve të qëndrojnë të bashkuar dhe të angazhohen maksimalisht për të siguruar një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme. Mobilizimi dhe përfshirja e të gjithë qytetarëve, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, është kyçi për një fitore që, sipas tyre, do të sjellë ndryshimin e shumëpritur për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë.