Një takim i rëndësishëm u zhvillua mes Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Elbasan dhe përfaqësuesve të bashkive Elbasan, Peqin, Prrenjas, Belsh, Gramsh, Cërrik dhe Librazhd, ku fokusi kryesor ishte përshpejtimi i procesit të legalizimeve për banorët në këto qytete.
Drejtori i ASHK Elbasan, Adi Qose, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me bashkitë për të adresuar pengesat dhe për të përshpejtuar procedurat. Ai u bëri thirrje bashkive të angazhohen jo vetëm me burime logjistike dhe njerëzore, por edhe në ndihmën e drejtpërdrejtë për qytetarët që kanë nevojë për të përmbyllur proceset e tyre të legalizimit.
ASHK Elbasan mbulon një nga zonat më të gjera territoriale në Shqipëri, duke përfshirë një numër të madh aplikimesh për legalizim. Në takim u raportua se bashkitë e Elbasanit dhe Librazhdit kanë nisur tashmë evidentimin në terren të zonave prioritare. Sipas planifikimeve, këto bashki do të dorëzojnë zonat e para prioritare pranë ASHK brenda kësaj jave, duke shënuar një hap të rëndësishëm për mbylljen me sukses të këtij procesi.
Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi mbetet ofrimi i një shërbimi cilësor dhe transparent për qytetarët, duke reduktuar kohën e pritjes dhe duke lehtësuar çdo procedurë ligjore. Legalizimet janë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e jetesës së komuniteteve dhe për dhënien e sigurisë ligjore për pronat e tyre.
ASHK dhe bashkitë kanë shprehur angazhimin e plotë për të çuar përpara këtë proces dhe për të siguruar që çdo qytetar të përfitojë nga ky shërbim i rëndësishëm.