Kapiteni Bruno Lulaj beson ende: Elbasani nuk heq dorë nga “Final 4

Elbasani kërkon ta mbyllë këtë vit kalendarik me një fitore, që do të mbante gjallë shpresat për një vend në “Final 4” në fund të kampionatit. Përballë do të ketë ekipin e Skënderbeut, ndaj të cilit ka vetëm dy barazime në dy fazat e para.

Në daljen e tij para mediave, kapiteni Bruno Lulaj ka shprehur besimin për një fitore të mundshme kësaj here, edhe pse luhet në transfertë. Ai ka evidentuar faktin se trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, i njeh mirë korçarët.

Mbrojtësi thotë se barazimi në kryeqytet me Partizanin ka vlejtur shumë nga ana morale, edhe pse gjykon se skuadra e tij meritonte fitoren me atë që tregoi në fushë. Për Lulajn, “Final 4” mbetet ende një objektiv real dhe i arritshëm për Elbasanin, përpos diferencës prej 8 pikësh nga rivalët që janë mbi ta në tabelën e renditjes.

Lulaj, sa ju ka shërbyer barazimi që morët në ndeshjen e fundit me Partizanin në kryeqytet?

Ishte një ndeshje pozitive për ne dhe për mendimin tim duhet ta kishim fituar, pasi ishim më lart sesa kundërshtari. Na shërben më shumë në anën morale dhe për vazhdimësinë, për më tepër që u rikthyem edhe tek lojërat e mira. Pastaj, një pikë me ekipin që kryesonte kampionatin atë javë nuk është keq.

E mbyllni kampionatin në Korçë, çfarë prisni?

Sigurisht që presim ta mbyllim me fitore dhe në mënyrën më të mirë të duhur këtë vit. Të kënaqim veten tonë, familjet tona, drejtuesit dhe tifozërinë që na mbështet në çdo ndeshje.

Dy ndeshjet e para keni dalë barazim, çfarë duhet të bëni ndryshe që të fitoni kësaj here?

Besoj që më shumë ka te bëjë me pjesën e përqendrimit, sepse në dy ndeshjet e kaluara jemi ndëshkuar në dy momente që përqendrimi nuk ka qenë në maksimum. Por, besoj se një fakt i rëndësishëm është se trajneri ynë i ri tani e njeh shumë mirë ekipin kundërshtar dhe do na tregojë pikat e dobëta.

Diferenca me “Final 4” është 8 pikë larg, sa e vështirë është për ta arritur këtë objektiv?

Qëllimi ynë është “Final 4”, siç e kemi thënë edhe më herët. Tetë pikë nuk janë pak, por nuk janë edhe shumë. Është për t’u luajtur edhe gjysma tjetër e kampionatit dhe ka shumë ndeshje përpara. Ne do t’i shohim ndeshjet një e nga një, hap pas hapi që të arrijmë drejt objektivit.

Vetëm vendi i pestë pas dy fazave të para, prisnit më shumë, apo jeni të kënaqur?

Sigurisht që me cilësinë dhe potencialin që kemi si skuadër, prisnim më shumë. Megjithatë, të mos harrojmë se Elbasani është një ekip që sapo është ngjitur nga Kategoria e Parë, pra një ekip i ri. Ky pozicion që kemi aktualisht, për mendimin tim, nuk është as keq, por as ajo që prisnim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL