Hatixhe Elezi, e moshuara nga Cërriku, endet prej pesë vitesh në dyert e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pa mundur të marrë zgjidhje për çështjen e saj. Ajo duhet të presë edhe katër muaj të tjerë për seancën e radhës mbi ndarjen e pasurisë së bashkëshortit të ndjerë. Për Hatixhen, kjo situatë është jashtëzakonisht e mundimshme, pasi për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, detyrohet të paraqitet në çdo seancë dhe të përballojë të gjitha shpenzimet vetëm me pensionin e saj.
E moshuara ka kaluar vite të tëra duke kërkuar drejtësi, ndërsa përballja me vonesat dhe zvarritjet e procesit gjyqësor i ka rënduar edhe më shumë gjendjen psikologjike. Çështja lidhet me ndarjen e pasurisë së bashkëshortit, pas vdekjes së tij nga një sëmundje kardiake. Hatixheja tregon se është përballur me kërcënime nga familja e bashkëshortit, gjë që ka ndikuar negativisht në shëndetin e saj. Ajo këmbëngul se shtëpinë në fjalë e ka ndërtuar me shumë mund, së bashku me bashkëshortin e saj.
Pavarësisht përpjekjeve, e moshuara ka ndërruar tre gjyqtarë gjatë këtyre viteve dhe vazhdon të përballet me shtyrje të njëpasnjëshme të seancave. Gjykata ka caktuar seancën e radhës pas katër muajsh, duke e lënë Hatixhen në pritje të gjatë për një vendim.
SYRI TV u interesua pranë zyrës së shtypit të gjykatës për të marrë informacion mbi arsyet e shtyrjes së seancës dhe vonesën e trajtimit të çështjes. Sipas përgjigjes së marrë, kërkesat për informacion mbi çështjet gjyqësore në proces mund të bëhen vetëm nga pala në proces ose përfaqësuesi i saj ligjor.
Ndërkohë, Hatixhe Elezi, e lënë në mëshirë të sistemit gjyqësor dhe shpenzimeve të përballuara vetëm nga pensioni, vazhdon të kërkojë një zgjidhje të drejtë për të drejtat e saj.