Dorëhiqet Bordin, Elbasani zgjedh Ivan Gvozdenoviçin. Ja prapaskenat me italianin

Rokadë trajnerësh tek Elbasani, ku brenda pak orësh klubi ka pranuar dorëheqjen e italianit Roberto Bordin dhe më pas ka emëruar ish-trajnerin e Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.gfdghjVerdheblutë u rikthyen te fitorja në ndeshjen e fundit me Bylisin, por në Elbasan flitej nën zë se do të ishte çështje kohe largimi i Bordin për shkak të rezultateve të dobëta. Ai vazhdimisht pati mbështetjen e drejtuesve të ekipit për të vijuar projektin e nisur, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare.

“AF Elbasani njofton publikun për shkëputjen e bashkëpunimit me trajnerin Bordin. Tekniku italian ka paraqitur dorëheqjen, duke u larguar nga drejtimi i ekipit. Familja verdheblu i uron suksese në vazhdim”, shkruhet në njoftimin e shkurtër të klubit verdheblu për mbylljen e bashkëpunimit me Bordin.

Dhe menjëherë është gjetur pasuesi i italianit, i cili është një emër i njohur në futbollin shqiptar, Ivan Gvozdenoviç. Palët kanë gjetur menjëherë akordin dhe ish-trajneri i Skënderbeut deri fundjavën e kaluar do të ulet tashmë në stolin verdheblu.

PRAPASKENAT ME BORDIN – Largimi i trajnerit Roberto Bordin fill pas ndeshjes me Bylisin, ku Elbasani fitoi 2-1, ishte disi surprizues. U mendua se kjo fitore i kishte forcuar pozitat e teknikut italian dhe shpresohej për një ecuri më të mirë në rezultate, por ka ndodhur e kundërta. Kur skuadra po bëhej gati të vijonte stërvitjen, trajneri ka lajmëruar stafin dhe drejtuesit për vendimin e dorëheqjes. Mësohet se arsyeja e largimit lidhet me situatën e rezultateve të tetë javëve të fundit, kur skuadra nuk po gjente fitoren.

Ishte një vendim që duket se italiani e kishte menduar edhe më herët. Nga burime të gazetës mësohet se Bordin ishte gati të largohej që pas humbjes së thellë me Dinamon. Për këtë ai kishte pasur një bisedë me lojtarët në dhomat e zhveshjes, por ka marrë garancinë nga këta të fundit se kthesa do të vinte, ndaj dhe ai vijoi punën. Italiani mësohet se u ka thënë drejtuesve se skuadra ka nevojë për impulse të reja, ndaj e pa të udhës të largohej për të mirën e Elbasanit.

ARDHJA E GVOZDENOVIÇ – Ardhja e Ivan Gvozdenoviç, i cili vetëm para pak ditësh u largua nga Skënderbeu, tregon se ka qenë një zgjedhje e shpejtë nga klubi elbasanas. Ai është parë si zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë në një moment delikat. Drejtuesit preferuan të mbanin në stol një trajner që e njeh mirë kampionatin shqiptar, në mënyrë që të mos i duhet kohë për t’u përshtatur. Elbasani nuk ka realisht kohë për të bërë eksperimente. Detajet e kontratës nuk janë bërë ende të ditura, por mësohet se ajo do të jetë për një sezon e gjysmë. Nuk dihet gjithashtu, nëse Gvozdenoviç do të vijë i vetëm në Elbasan, apo me ndihmësit e tij. Prezantimi zyrtar i trajnerit serb do të bëhet sot nga klubi verdheblu.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL