Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar lidhur me protestat e banorëve dhe shqetësimin për rrezikshmërinë e rrugës që paraqet rruga Elbasan-Peqin. Përmes nje postimi në rrjetin social facebook kryetari i bashkisë Peqin Bukurosh Maçi sqaron se Autoriteti Rrugor Shqiptar i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bashkisë Peqin dhe do të marrë masa të menjëhershme me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë dhe uljen e rrezikshmërisë në aksin Peqin- Pajovë.
Kryebashkiaku sqaron më tej se pas verifikimeve të imtësishme nga grupi i punës i ngritur për këtë rast me ekspertë të fushës, ARRSH do vendosë sinjalizuesit me dridhje dhe shirita, sinjalistikën e përforcuar për vendkalim këmbësorës, sinjalistikën që njofton hyrjen në zonë të banuar, caktimin e kufirit maksimal të shpejtësisë deri në 30 km në orë për mjetet si dhe vendosjen e tabelave vertikale “Kujdes fëmijët”.
Sakaq do të vendosen dhe kurrizat artificialë me qëllim uljen e shpejtësisë, një mbikalim për këmbësorë i cili rrit sigurinë rrugore në këtë zonë të banuar. Këto masa vijnë pas aksidentit që u regjistrua në aksin Elbasan-Peqin ku pas përplasjes së dy mjeteve, njëri prej tyre doli nga rruga duke aksidentuar për vdekje 8-vjeçarin i cili ishte duke qëndruar në trotuar.