Ashtu siç pritej, menjëherë pas humbjes së thellë ndaj Dinamos në shifrat 0-5 në “Elbasan Arena”, në kampin verdheblu ka pasur një mbledhje urgjente për të diskutuar rreth asaj që ndodhi brenda 90 minutave.
Burime të “Panorama Sport” pranë kampit elbasanas pohojnë se në mbledhje ka marrë pjesë edhe vetë presidenti Kujtim Llupa, me të gjithë kupolën drejtuese dhe në prani të trajnerit dhe lojtarëve kanë diskutuar gjerë e gjatë për këtë situatë që po kalon klubi elbasanas. Pas bisedave midis palëve, mësohet se presidenti nuk ka preferuar që të marrë masa ndëshkimore për ekipin, pasi në fund kanë rënë të gjithë dakord që ishte thjesht një mbrëmje e keqe që për fat të keq ndodhin në futboll.
Nga ana tjetër, i është dhënë besimi i plotë trajnerit Roberto Bordin dhe stafit të tij për të vijuar të qetë punën. Megjithatë, edhe pse për momentin nuk ka pasur masa ndëshkimore, në njëfarë mënyre ka pasur një ultimatum nga drejtuesit karshi lojtarëve që kthesa nuk duhet të vonojë dhe që kësaj jave ndaj Laçit kanë kërkuar fitoren.
Nëse ecuria jo e mirë dhe ndeshjet si me Dinamon do të përsëriten, atëherë do të vihen në zbatim edhe ndëshkimet. Gjithsesi, për momentin është lënë që gjërat të rrjedhin vetë dhe lojtarët ia kanë hedhur thjesht me një “tërheqje veshi”, ku kanë premtuar se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten më, edhe për hir të tifozëve.
BORDIN – Pas ndeshjes, Roberto Bordin e pranoi paraqitjen e dobët dhe përpos faljes karshi tifozëve dhe një mbrëmje të keqe, shpresoi në fund që nga kjo përballje të jenë nxjerrë mësime dhe ta kthejnë në forcë për të vazhduar përpara.
“Një humbje e tillë mund të shërbejë edhe për të ndryshuar diçka. Humbjet vijnë, por jo kështu si ndaj Dinamos. Mendoj se pas ndeshjes jo të mirë me Teutën kjo do të ishte pika e kthesës, por jo me këtë paraqitje. Me këtë humbje kemi prekur fundin, por shpresoj që të vijë edhe kthesa”, pohoi Bordin për “Panorama Sport”.
Në lidhje me pyetjen nëse i druhej ndonjë shkarkimi, italiani pohoi se është profesionist në punën e tij dhe këtë do të përpiqet të bëjë gjithnjë. “Unë gjithnjë kam punuar dhe punoj si profesionist. Do të diskutojmë për të parë se ku nuk shkuan gjërat dhe do të vazhdojmë të tentojmë kthesën”, mbylli prononcimin e tij italiani i pankinës verdheblu.