94 gola në fazën e parë të Superligës, “Elbasan Arena” rekord tifozërie

Të premten Superliga Shqiptare rikthehet me fazën e dytë të kampionatit ose e thënë ndryshe java e 10-të e garës, aty ku skuadrat do të synojnë të forcojnë edhe më tepër pozitat.

Siç dihet në fazën e parë ekipi më i mirë ishte Partizani, kjo bazuar në renditje, pasi demat kryesojnë në klasifikim.

FSHF ka publikuar të tjera statistika të kampionatit deri më tani bazuar në numrin e tifozëve, golat e shënuar nga skuadrat, si dhe gara për këpucën e artë, ku dyshja Balaj-Mandela gjenden me nga 5 gola, e më pas vjen Rashica i Skënderbeut me 4 të tillë.

Interesant është numri i tifozëve që kanë ndjekur përballje në Elbasan Arena, konkretisht 27.500, duke lënë pas impiantit kryesor në vend Air Albania me 18.450 dhe Loro Borici me 10.500 tifozë.

Kujtojmë se në Tiranë prej javësh nuk po zhvillohen ndeshje kampionati, për shkak se tapeti i stadiumit do të rinovohet për ndeshjet e kombëtares në muajin nëntor.

94 gola deri më tani, e bëjnë këtë sezon të tretin në renditje në 5 vitet e fundit, pasi rekordin e ka viti i shkuar me 121 rrjeta të regjistruara.

Shifra më pozitive duket se është ajo e tifozëve në stadium, të cilat janë më të lartat në 5 vitet e fundit, e këtu duhen përmendur tifozët Elbasan të cilët janë të pranishëm në cdo përballje që skuadra e tyre luan në shtëpi.