Shpëtoi Elbasanin nga humbja, Ze Gomesh: Duhet të jemi më cinikë

Elbasani mori një barazim ndaj Partizanit këtë të diel, me golin e Ze Gomesh, që i dha mundësinë të dilnin me një pikë. Portugezi shënoi rrjetën e tretë personale këtë edicion, pas Laçit dhe Tiranës, por i vjen keq që nuk mundi t’i vlejë skuadrës për të koleksionuar tri pikët. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 25- vjeçari ka besim se me punën që bëjnë çdo ditë në stërvitje do të arrijnë të marrin edhe fitoret, për të mos u mjaftuar me barazime.

Sipas tij, të gjithë kundërshtarët i duken njëlloj dhe “frikë” më shumë ka nga vetë skuadra në të cilën ai luan.

Shënuat ndaj Partizanit, por nuk morët dot fitoren. Si ndiheni?

Normalisht ndihem gjithnjë shumë mirë kur shënoj, por nuk jam i lumtur për rezultatin. Gjithsesi do të punojmë dhe shpresojmë të dalim më mirë në ndeshjen tjetër.

Goli erdhi si pasojë e një skeme të punuar në stërvitje, prandaj festuat me pankinën?

Po, po. Ishte një gol i rëndësishëm dhe i punuar në stërvitje. Shkova të festoja me pankinën dhe shokët e tjerë aty, sepse pavarësisht se kush luan apo shënon, ne jemi një skuadër e bashkuar.

Elbasani po luan, por nuk po fiton dot. Çfarë duhet të bëjë më shumë?

E thjeshtë, duhet të bëjmë një gol më shumë se kundërshtari (qesh).

Dakord, por çfarë duhet të bëni që të shënoni një gol më shumë se kundërshtari?

Normalisht, do të punojmë shumë në këtë aspekt për të qenë më cinikë para portës. Do të përpiqemi të bëjmë paraqitje të mira edhe në vazhdim.

A jeni i kënaqur në aspektin personal apo prisni më shumë?

Po, jam i kënaqur dhe gjithnjë përpiqem të bëj më shumë. Mundohem të punoj çdo ditë dhe gjithçka është e mundur.

Ndeshja e radhës me Skënderbeun, prisni të shënoni sërish, por kësaj here me vlerë tri pikët?

E para është skuadra, ku synojmë të marrim më tri pikët. Më pas normalisht do të jem i lumtur nëse do të shënoj unë, por e theksoj se e para është skuadra.

Keni luajtur me të gjitha skuadrat, cilët sheh si rivalët më të vështirë?

Janë të gjitha skuadra të forta dhe nuk mund të veçoj asnjë. Por nëse më duhet të zgjedh një ekip, do të përmend ekipin tonë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL