Mjalti i gështenjës së Labinot Malit përfundon në Londër

NGA FATMIR POPJA

Hasan Bozhiqi është një bletërritës me famë nga fshati Labinot Mal i Bashkisë së Elbasanit. Ai i është dedikuar këtij sektori qysh prej afro një gjysëm shekulli dhe nga viti 1990 punon si bletërritës profesionist.

Në parkun e tij ngjitur me shtëpinë ku lindi dhe u rrit ai mbarështon qindra koshere bletësh ndërsa kullota është me larmi lulesh në masivin pyjor me gështenja. Bletërritësi 64 vjeçar nga Labinot Mali thotë se që të mbarështosh bletën nuk është e lehtë ndërsa sa i takon prodhimit, ky vit ka pasur vështirësi si shkak i të mbizotërimit të motit me temperatura mjaft të larta që ndikuan te prodhimi i mjaltit i cili ka qenë më i ulët se vitin e kaluar.

Prodhimin zakonisht e kam shitur në Londër ku jetojnë e punojnë si emigrantë të ligjshëm fëmijët. Ndërsa një pjesë e shes dhe e shpërdaj falas tek të afërmit e familjes. Edhe bletërritësit e tjerë të zonës së Labinotit shumicën e prodhimit e dërgojnë jashtë sepse preferohet jashtëzakonisht shumë.

Mjalti i gështenjës nga Shqipëria, cilësohet një ndër llojet më cilësore në Europë edhe pse zyrtarisht ende nuk ka filluar tregtimi i tij në BE , dhe kjo çështje i takon shtetit ta zgjidhë.

Gjatë gjithë jetës i jam përkushtuar bletarisë duke filluar nga koha e komunizmit deri në ditët e sotme tregon bletërritësi Hasan Bozhiqi të cilin e njeh i madh e i vogël jo vetëm në fshatrat e zonës por edhe në Elbasan, Tiranë ,Durrës e gjetkë ku ai prej dhjetra vitesh shet mjaltin .I kam vënë qëllim vetes që të nxjerr në treg vetëm mjaltë cilësor .Mjalti më i miri i mundshëm është ai poliflro, pra që vjen nga shumë lule dhe mjalti i gështenjës .Mjalti i fshatit Labinot Mal duhet ta dinë të gjithë se është nga më cilësorët , pasi në këtë zonë pothuajse nuk përdoren fare metodat e spërkatjes me helme kopshteve me perime apo të blloqeve me pemë frutore sikundër ndodh kudo .Mbajtja e bletëve në këtë zonë është traditë prej shekujsh që vitet e fundit po pasurohet nga familjet autoktone .Bletët që kullosin në lartësitë e Labinot Malit kanë mjaltë mjaft cilësor pasi kjo zonë jo vetëm që nuk ka ndotje mjedisore por ka sipërfaqe pa fund me lule dhe me masive pemësh frutore ku dominojnë masivet e gështenjave .Është zonë e begatë për bletërritësit .Kjo punë është edhe fitimprurëse , edhe relaksuese . Shpresoj tjua trashëgoj brezave të rinj dhe rinia duhet ti përkushtohet me shumë dashuri bletarisë dhe dëshiroj që tregu shqiptar të ketë sa më shumë mjaltë cilësor .Ngjyra që duhet të ketë mjalti i mirë është në varësi të vendeve ku bletët kanë kullotur sqaron bletërritësi .Konsumatori sipas tij duhet të ketë parasysh që në shije, mjalti duhet të ketë shijen e vërtetë të mjaltit dhe jo shije të ngjashme , pra të mos ndihen kristale sheqeri sikurse po ndodh me tregun e sotëm të këtij produkti kaq të kërkuar ,pasi me cilësinë dhe shijen e tij po abuzohet .Mjalti aktualisht në Shqipëri është produkti më i falsifikuar .Unë kam një jetë që i jam përkushtuar bletarisë dhe jetoj në mes të lëndinave me lule dhe fare pranë masivit pyjor me 95 mijë drurë gështenjash dhe nuk arrij kurrë të plotësoj kërkesat e të afërmve të mi me mjaltë lulesh e mjaltë gështenje edhe pse kam qindra koshere me bletë.Ndërsa tregu po ti hedhësh sytë ngado mbushet me prodhim të fallsifikuar duke mos patur kurrë frikë kush nga penalitetet ligjore.Edhe futja e mjaltit industrial po kthehet në një nga problemet më të mëdha të ditëve të sotme .Mjalti industrial po ndikon në uljen e vlerës së mjaltit të vërtetë të prodhuar nga bletët që kullosin në natyrën e mrekullueshme të maleve të Shqipërisë.Por pavarësisht kësaj konkurence të paligjshme ,mjalti i prodhuar nga bletarët kurrë nuk mbetet pa u shitur, madje pothuajse të gjithë e kemi të shitur pa e vjelë nga kosheret.Kërkesat e konsumatorit për mjaltë nga bletërritësit janë dhjetra e qindra herë më të mëdha sesa sasia e prodhimit tregon bletari i Labinot Malit të Elbasanit i cili së bashku me kolegët e tij nga të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit kanë mundur të sigurojnë të ardhura të kënaqshme nga kjo punë .Sa i takon shëndetit të bletëve gjatë këtij viti , 64 vjeçari ,Hasan Bozhiqi thotë se ka qenë i mirë ,për shkak të kujdesit të treguar në trajtimin e tyre pas daljes nga dimërimi.
Bletërritësi Hasan Bozhiqi ashtu sikurse kolegët e tij ,ka përfituar edhe nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për mbarështimin e bletës, në masën e përcaktuar për zgjua.Ai të vetmin merak ka ushtrimin e kontrollit të rreptë të tregut të mjaltit pasi sipas tij po abuzohet shumë me cilësinë e këtij produkti të cilin konsumatori e preferon për vlerat kurative .