Fanatik i skemës dhe dyshes Abalora-Lulaj, trajneri Bordin mendon për Partizanin e Kupën

Roberto Bordin është një trajner që i ka idetë e qarta sa i përket ekipit që hedh në fushë javë pas jave. Thuhet kështu, pasi italiani nuk është ndër ata që bën shumë ndryshime, përveç rasteve kur është i kushtëzuar nga dëmtimet, që i duhet të bëjë lëvizjet e detyruara në formacion. Për më tepër, në të teta ndeshjet e këtij edicioni, rreshtimi primar ka qenë i ngjashëm me një 3-5-2, duke treguar se nën drejtimin e tij verdheblutë e kanë krijuar tanimë një identitet të tyrin. Mbetet për t’u parë nëse në ndeshjen e kupës ndaj Turbinës në “Shefqet Lamçja” italiani do t’u qëndrojë stoik ideve të tij apo do të shohim për herë të parë një Elbasan ndryshe, duke marrë parasysh kundërshtarin që kanë përballë dhe shihet më shumë si një formalitet kalimi i turit.

ROTACIONI – Nëse në kampionat nuk ka “guxuar” të bëjë rrotacion, por t’u besojë titullarëve të tij, në Kupë situata duket më ndryshe. Gjasat janë që të marrin më shumë minuta ata që nuk kanë pasur shumë mundësi gjatë këtij edicioni në elitë. Ajo që bie më shumë në sy është mosaktivizimi për asnjë minutë të vetme mesfushorit Orgest Gava, i cili sezonin e kaluar ishte edhe kapiten i verdhebluve. Ndonëse 34-vjeçari ka qenë i pranishëm në pankinë, nuk ka provuar ende një ndeshje zyrtare të këtij sezoni dhe mundësitë janë që të jetë në fushë nesër. Në të njëjtën situatë është edhe portieri Redon Gega apo sulmuesi Kron Abdiu, të cilët presin mundësinë e tyre në fushën e lojës. Pak minuta kanë pasur edhe Endi Halili me Rei Zaimin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës duket se është alternuar vazhdimisht me njëritjetrin përgjatë tetë ndeshjeve të Superiores.

MË TË AKTIVIZUARIT – Tek Elbasani bie në sy se asnjë lojtar nuk i ka minutat e plota në këmbët e tij dhe vetëm dy prej tyre i kanë nisur të gjitha ndeshjet si titullar. Bëhet fjalë për Emiljano Mustën dhe Bledar Lilën, që kanë qenë më besnikët e Bordin, në një kohë që të dy kanë 713 minuta në këmbët e tyre. Ndërkohë, të vetmit që kanë luajtur minuta të plota për aq kohë sa kanë pasur mundësi janë kapiteni Bruno Lulaj dhe portieri Razak Abalora, të cilët as nuk janë zëvendësuar ndonjëherë. Mbrojtësi bëri një javë stop për shkak të kartonëve, ndërsa ganezi mbërriti pasi kampionati kishte nisur dhe i humbi tri sfidat e para. Pjesa tjetër e skuadrës herë janë zëvendësuar kur e kanë nisur si titullarë dhe herë janë lënë në stol për të mos u përdorur.

VLADIMIR MEMA-