Ish-futbollisti Bylykbashi: Verdhebluve u mungon një goleador, Abalora më i miri. Ja 5 skuadrat për katërshen

Elbasani i ka bërë një nisje të kënaqshme kampionatit këtë edicion, duke qenë në rangun e atyre skuadrave që kanë ambicie për të përfunduar në fund të sezonit në “Final 4”. Të paktën, kështu shprehet në një intervistë për “Panorama Sport”, Gentian Bylykbashi, një nga futbollistët që ka dhënë kontributin e tij për skuadrën e Elbasanit përgjatë viteve 2000. Ish–kapiteni verdheblu vlerëson portierin Abalora si edhe shkollën italiane të mbrojtjes, duke e parë ngërçin në sulm, aty ku i duhet patjetër një sulmues goli. Për Bylykbashin, kjo fazë e parë po tregon se ekipet nuk në shumë diferenca me njëra-tjetrën dhe ai që do të tregohet më i zgjuar në merkaton e janarit, mund të bëjë diferencën.

Bylykbashi, si ju është dukur paraqitja e Elbasanit deri më tani?

Realisht rezultatet nuk janë të këqija, edhe pse ndoshta pritet më shumë. Nuk duhet ta anashkalojmë faktin që janë një ekip i ri, i riformatuar thuajse nga e para. Nga ana tjetër, duke parë sesi rrodhën ngjarjet para nisjes së sezonit, trajneri nuk ka pasur mundësinë t’i zgjedhë vetë lojtarët, përveç ndonjërit dhe të gjitha këto kanë ndikimin e vet.

Cili lojtar ju ka bërë më shumë përshtypje?

Për mua portieri është një nga blerjet më të goditura. Mendoj se është më i miri në kampionatin shqiptar, sepse i jep ekipit siguri, jeton me lojën në mënyrë perfekte dhe është shumë i lirshëm në portë. Dikur ne thoshim që portieri i mirë është gjysma e ekipit dhe vazhdon ende. Është i mirë edhe me këmbë që në futbollin e sotëm, përveçse gjatësisë, duhet të luajë mirë edhe me këmbë.

Ekipi nuk pëson shumë, por njëkohësisht edhe nuk shënon shumë. Pse?

Italianët njihen për filozofinë në mbrojtje, duke e bërë në njëfarë mënyre që ky repart të funksionojë shumë mirë. Por hasin vështirësi te shënimi i golit. Nuk i ka pasur lojtarët të gjithë të gatshëm, me shumë dëmtime. Tsage ka ardhur më vonë dhe do kohën e tij. Vërtet janë katër sulmues, por i mungon një lojtar goli. Një ekip që mbrohet mirë dhe nga ana tjetër ka sulmuesin që të nxjerr nga situata me shënimin e golit, bëhet shumë e vështirë për kundërshtarët që të kthejnë ndeshjen.

Sa i përket kampionatit ka një ngjeshje të kreut, pse ka ndodhur kjo gjë?

Kjo tregon se ekipet janë thuajse aty-aty, me aq sa i kam parë. Vllaznia ishte një ekip shumë i mirë si teknikisht dhe taktikisht, sa u përket ndeshjeve që janë luajtur në Elbasan. Është edhe ekipi që e ka vënë më shumë në vështirësi Elbasanin.

Cilat mendoni se do të jenë 4 skuadrat e kreut në fund të kampionatit?

Sipas meje, janë pesë skuadra që do të luftojnë për “Final 4”: Partizani, Dinamo, Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia. Tiranën nuk e shoh ende në rangun e tyre për momentin. Gjithsesi, varet shumë edhe nga përforcimet nga janari, sepse të gjitha këto kanë nevojë për ndërhyrje, për të bërë edhe diferencën më pas.

V. MEMA