Elbasani-Vllaznia do të jetë dueli i kësaj jave në Superiore dhe kush më mirë sesa Klodian Duro mund të fliste për këtë përballje.klodian-duro-750x540Ka luajtur si me Elbasanin dhe Vllazninë, me të cilën u shpall edhe kampion. Tani në profesionin e trajnerit, ish-futbollisti i Kombëtares në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” shprehet se është i kënaqur që kjo ndeshje është rikthyer të luhet në Superiore. Ndër të tjera, Duro thotë se asnjë nga ekipet nuk ka bërë diferencën, është herët për të folur për titullin kampion, si edhe tregon skuadrën që e ka zhgënjyer këtë sezon.
Duro, kanë kaluar 7 javë nga nisja e Superiores. Cila është skuadra që ka bindur më shumë në syrin tuaj, apo edhe ajo që ka zhgënjyer?
Asnjë nga ekipet për mendimin tim nuk është se ka bërë diferencën në këto 7 javë të para të kampionatit. Në syrin tim u mundua Vllaznia ta bënte dhe u duk sikur e bëri në një moment, por kjo humbja e fundit me Dinamon tregoi që ekipi duhet ende të tregojë nga cilësia e tij. Ndërsa skuadra që ndoshta më ka zhgënjyer ka qenë Laçi. Një ekip që gjithmonë ka luftuar për zonën e sipërme të renditjes. Besoj se ndoshta harmonizimi i lojtarëve ka ndikuar për këtë gjendje të kurbinasve.
Kthehet në fundjavë një klasike si Elbasani-Vllaznia, që kishte kohë që mungonte. Një vlerë e shtuar e kampionatit ky duel apo jo?
Padyshim që kjo është kryendeshja e kësaj jave dhe më bëhet qejfi që edhe Elbasani është kthyer në Superiore. Vllaznia dhe Elbasani janë dy ndër ekipet më të mëdha në vend. Ku kanë fituar Kupa dhe kampionate, apo kanë dhuruar edhe futbollistë që jo vetëm kanë shkëlqyer në kampionat, por edhe me Kombëtaren shqiptare. Jam i bindur që do jetë një ndeshje për t’u shijuar nga të gjithë. E po ashtu bukurinë do ia shtojë edhe tifozëria e dy skuadrave, që janë ndër më të zjarrtat në vend. Personalisht pres një ndeshje me të vërtetë të bukur. Prandaj edhe bukuria e këtij kampionati është shtuar sepse kthehet edhe kjo klasike, Elbasani-Vllaznia.
I shikoni këto dy skuadra që mund të thyejnë “mallkimin” e viteve që kanë dekada pa titull?
Ndoshta është herët për të folur për titullin kampion, pasi edicioni sapo ka filluar. Unë të dyja skuadrat i shikoj në rrugë të mbarë dhe uroj ta rrisin akoma më tepër ritmin dhe nivelin e tyre. Siç e thashë skuadrat janë goxha të barabarta, por patjetër do kisha kënaqësi nëse ndonjë prej ekipeve të Elbasanit apo Vllaznisë të shpallej kampion.
Personalisht keni shkëlqyer me të dy ekipet, duke lënë kujtime të paharrueshme. Ndonjë preferencë për duelin?
Unë jam rritur tek Elbasani, ai është qyteti ku u rrita dhe hodha hapat e parë në futboll. Ku më pas bëra edhe debutimin në Superiore. Por edhe te Vllaznia për dy vite kam historinë time dhe aty jam ndier si në shtëpi, si në Elbasan. Thjesht mund të them se dua ta shijoj këtë duel dhe me rikthimin e Elbasanit në Superiore të rikthehen edhe duelet historike mes këtyre dy skuadrave.
Ashtu si u rrita unë në fëmijërinë time duke parë duelet Labinoti (Elbasani) – Vllaznia të rriten edhe brezat e rinj. Pasi ky është një duel që ka brenda çdo gjë dhe si çdo herë është zhvilluar në “fair play” maksimal mes dy skuadrave.
Duel të huajsh në stol, Brdariç përballë Bordin. Kush ka bindur me skuadrën e tij për ju?
Pjesa më e rëndësishme e një ekipi është trajneri, pasi çdo gjë fillon nga ai dhe vendimet e tij. Janë të dy nga shkolla të respektuara të futbollit dhe nga më të mëdhatë në notë. Siç është Brdariç nga ajo gjermane dhe Bordin nga ajo italiane. I shoh ndoshta të ndryshëm në stilin e lojës, por që po sjellin stilin e tyre në futbollin shqiptar.
Nëse do t’ju vinte mundësia në të ardhmen, cilin ekip do të donte Duro të drejtonte mes Vllaznisë dhe Elbasanit?
Këto dy ekipe dhe dy qytete janë të pandarë në mendjen dhe zemrën time. Pavarësisht se u rrita dhe zhvillova në Elbasan, suksesin apo konfirmimin tim në futbollin shqiptar e mora në Shkodër te Vllaznia. Prandaj nuk mund ta ndaj se cilën do zgjedhja mes dy skuadrave. Unë vetëm them se do isha i gatshëm e do të kisha kënaqësi personale që të drejtoja në këto skuadra, që ngelin të veçanta për mua.