SPAK me ‘dorë të hekurt’, sekuestron telefonin e drejtorit të Policisë së Elbasanit. Ja pse

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi një disa prej eksponentëve kriminalë nuk u kapën në kuadër të operacionit për të goditur grupin e drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan. Edhe dy vëllezërit Franc e Hajdar Çopja nuk u vunë në pranga në operacionin e 31 korrikut 2024. Me dyshimet se Policia ka nxjerrë sekretin hetimor, SPAK është vënë në lëvizje dhe burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se është sekuestruar telefoni i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda. Ky i fundit është aktualisht kandidat në garën e hapur për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes në Muhamet Rrumbullakut.

Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë në sitë 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan. Po ashtu, SPAK ka marrë në pyetje edhe 3 drejtues policie që kanë patur dijeni për operacionin. Lidhur me bindjen që ka organi i procedurës penale, është duke kryer verifikime në një sërë aparatesh celulare të personave të mësipërm, komunikime apo takime të mundshme kompromentuese.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë që nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, gjatë operacionit për goditjen e bandës së Çopjave u ekzekutuan vetëm 13 urdhërarreste, 2 prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej anëtarëve të kësaj bande kriminale që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por ka dyshime se ata janë informuar për operacionin dhe për rrjedhojë janë arratisur. Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje. Franc e Hajdar Çopja, të cilët janë në arrati, dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.

Kush është Ilir Proda?

Ilir Proda mësohet se kërkon të bëhet kryepolic, pasi ka aplikuar në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut. Proda u emërua në Policinë e Elbasanit më 8 mars 2023, me urdhër të Rrumbullakut pas disa ndryshimeve në drejtoritë e policive. Nga Elbasani u largua Ardian Çipa, i cili shkoi në Gjirokastër. Proda po ashtu i është nënshtruar vetingut në mars 2024 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Më datë 8 mars 2024, trup e vlerësimit; Bora Vrenjo si kryesuese, Henri Naqellari dhe Loreta Hanxhari anëtarë, konfirmuan në detyrë Prodën. Sipas Vendimit të AMP, Proda ka plotësuar tre kushtet, nivel i besueshëm në vlerësimin e pasurisë; nivel i besueshëm në vlerësimin e kontrollin e figurës; nivel i mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale.