Interi, pasditen e djeshme konfirmoi rinovimin e kontratës së Kristjan Asllanit deri në vitin 2028. Më poshtë është njoftimi zyrtar i klubit zikaltër për “blindimin” e mesfushorit të lindur në vitin 2002, në Elbasan, një nga liderët e rinj të kombëtares sonë kuqezi:
“Fryma e sakrificës dhe inteligjencës taktike. Kristjan Asllani i ka kombinuar këto karakteristika në dy sezonet e fundit dhe do të vazhdojë t’i bëjë sërish me ngjyrat zikaltër. Mesfushori shqiptar dhe Interi janë lidhur deri në vitin 2028. Që nga debutimi i tij, numri 21 i zikaltërve është kthyer në një lojtar të çmuar për skuadrën e Simone Inzaghit. Ai mbërriti tek Interi në verën e vitit 2022 dhe ka bërë gjithsej 63 paraqitje, duke shënuar një gol.
Historia e Kristjan me zikaltrit është e shënjuar nga fati, duke filluar nga dita e lindjes, që është e njëjtë me atë të Interit: 9 marsi. Karriera e mesfushorit të lindur në vitin 2002 është shënjuar edhe nga ndryshime, që përkthehen në mundësi të mëdha.
Ashtu si ai që e solli nga Shqipëria në Buti, provincën e Piza ku u rrit dhe ku nisi të hidhte hapat e parë në botën e futbollit. Teknika dhe cilësia e tij e padiskutueshme e çuan atë të luante në sektorin e të rinjve të Empolit në moshën 10-vjeçare.
Fati i tij kishte nuanca blu e zi. Në sezonin 2020-2021 fitoi kampionatin e të rinjve me skuadrën e Empolit. Këtë e bëri duke eliminuar Interin në gjysmëfinale, falë golit të tij. Në sezonin 2021-2022 kaloi në skuadrën e pare të Empolit. Edhe një herë e lidhi emrin e tij me atë të zikaltërve. Asllani asistoi Bajramin në ndeshjen e Kupës së Italisë dhe shënoi golin e parë në Serie A kundër Interit.
Rrugët e Asllanit dhe Interit do të bashkoheshin përfundimisht në verën e vitit 2022. Në sezonin e tij të parë me fanellën zikaltër mësoi shumë, duke u përpjekur të jetë gjithmonë gati për të dhënë kontributin e tij. Në fund të sezonit do të grumbullonte 29 paraqitje në të gjitha garat dhe do të ngrinte në qiell dy trofetë e tij të parë: Superkupën e Italisë dhe Kupën e Italisë.
Sezoni i ardhshëm ishte viti në të cilin zikaltrit “qepën” yllin e dytë në fanellën e tyre, në fund të një sezoni të jashtëzakonshëm, i cili e pa mesfushorin shqiptar të marrë pjesë në një moment historic. Shqiptari u vendos plotësisht në dispozicion të skuadrës së Simone Inzaghit, duke treguar të gjitha cilësitë e tij.
Më tej provoi edhe gëzimin e pamasë të golit të tij të parë me fanellën zikaltër, i cili erdhi në ndeshjen e fituar e ‘San Siro’ ndaj Genoa, 2-1. Një goditje e fuqishme me këmbën e djathtë nga afërsia që nuk i la asnjë shans portierit ligurian.
Karriera e Kristjan me fanellën zikaltër flet vetë. Një profesionist shembullor dhe talent vazhdimisht në rritje, i cili do të jetë ende i disponueshëm për sezonet e tjera”.