Sot luhet ndeshja/ Elbasani rikuperon disa lojtarë, por humb Hilën për duelin me Laçin

Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Laçin, që do të zhvillohet sot në orën 19:00, në “Elbasan Arena”. Verdhebluve u bën punë vetëm fitorja për të ruajtur ritmin e kryesuesve, për më tepër që e kanë të ndaluar të bëjnë një tjetër hap fals në shtëpi, pas asaj humbjeje ndaj Dinamos disa më parë. Për këtë arsye, në kampin elbasanas i kanë dhënë vlerësimin e duhur kësaj sfide, ndonëse përballë kanë një skuadër që mbyll klasifikimin dhe ende nuk ka marrë fitoren e parë në këtë kampionat.

SITUATA – Duket se verdheblutë i kanë të gjitha “kartat” në rregull për këtë ndeshje, përveç mesfushorit Ardit Hila. Futbollisti 31-vjeçar ka një shqetësim te muskujt e barkut dhe këto ditë ka bërë terapi, duke mos iu bashkuar skuadrës në stërvitje dhe gjasat më të mëdha janë që të lihet pushim kundër Laçit, për të qenë i gatshëm për ndeshjen që vijnë më pas kundër Tiranës. Nga ana tjetër, duket se situata me rikuperimet po shkon mirë, teksa të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme fizike janë bashkuar me grupin.

Sulmuesi portugez Ze Gomesh për momentin nuk ka kryer stërvitje me intensitet të plotë dhe po mbahet nën vëzhgim, që të mos mungojë nesër me kurbinasit. Me ekipin janë bashkuar që në fillim edhe dy afrimet e fundit, portieri Razak Abalora dhe sulmuesi Blaise Tsague, të cilët duket se po “shkrihen” me pjesën tjetër të grupit. Nëse nuk do të jenë titullarë në këtë ndeshje, pritet që trajneri Roberto Bordin t’i ketë ata së paku si alternativa në stol.

MANOVRAT – Nga sa është parë këto ditë, italiani i stolit elbasanas do t’i qëndrojë besnik idesë së tij në lidhje me rreshtimin 3-5-2, me të cilin ka luajtur në të tria këto ndeshje të para të kampionatit. Formacioni pritet të mos ketë shumë ndryshime të mëdha, por duhet parë deri në momentin e fundit gjendja e lojtarëve që vijnë nga dëmtimet, nëse ata mund ta nisin nga minuta e parë, apo nga stoli. Sa i përket portës, ka një balotazh mes Totoshit dhe Abalorës, ndërsa mbrojtja sërish nuk do të ndryshojë, me Lulajn, Qaqin dhe Mustën.

Nga krahët Lila me Klevis Kasa do të vijojnë ta ruajnë këtë pozicion. Në mesin e fushës pritet ta nisë nga minuta e parë ish-futbollisti i Kombëtares, Kristi Qose, i cili bëri debutimin e tij me verdheblutë në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos disa ditë më parë. Në këtë zonë do të ketë shok reparti Arsen Kasën dhe Edon Hasanin, të cilët do të kompletojnë treshen e qendrës. Për sulmin mund të thuhet se Melo me Gjoni duken më të avantazhuarit për ta nisur nga minuta e parë ndeshjen e nesërme me Laçin, ku pritet kthesa.

VLADIMIR MEMA