Ëngjëll Ucaj, 11 vjet më parë, ishte një nga personat që tronditi opinionin publik me aktin e tij të vrasjes së trefishtë.
Ai i mori jetën të birit 27 vjeç dhe nuses së tij italiane, e cila ishte shtatzënë dhe priste ta bënte gjysh. Një nga historitë më të trishta familjare ku konflikti u tha se nisi për shtëpinë mes babë e bir, po, në fakt, konflikti kishte nisur për lidhjen në martesë të të birit me vajzën italiane.
Ëngjëll Ucaj nuk e pranoi kurrë këtë version, ai akuzoi të birin dhe nusen të vdekur për shumëçka në atë konflikt, ndërsa vetë u dënua vetëm me 25 vjet burg, por dje ai është gjendur i pajetë në qelinë e tij. Burgjet bënë me dije zyrtarisht se ishte vetëvarur!
Referuar të dhënave zyrtare u bë me dije se: Është gjendur i varur në dhomën e tij i dënuari Engjëll Kol Ucaj, i lindur më 20 shkurt 1946 në Krujë dhe banues në Elbasan. Ucaj, i dënuar me 25 vite burg për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje,” sipas neneve 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal, ishte pranuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin më 20 qershor 2023.
Pas gjetjes së tij nga punonjësit e policisë, Ucaj u transportua menjëherë në urgjencën e spitalit të Peqinit, ku, pas përpjekjeve të mjekëve nuk arriti t’ia dalë. Ky i dënuar ishte përgjegjës për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar, Sokol Ucaj dhe bashkëshortes së tij shtatzënë, ngjarje kjo e ndodhur në 30 janar të vitit 2013. Nga ana e IEVP-së Peqin janë vënë në dijeni autoritetet përkatëse për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
NGJARJA TRONDITËSE
Ngaqë i biri dhe nusja e tij u ekzekutuan me kallashnikov nga babai, ngjarja, në fakt, u transmetua në disa versione. Por ajo që ishte edhe më e rëndë në lidhje me tragjedinë e trefishtë ishte fakti se në dijeni të konfliktit të tyre të vazhdueshëm kishte qenë edhe Policia e Elbasanit.
U tha se historia e konfliktit mes Ëngjëll Kol Ucaj dhe të birit nisën pas kthimit të Sokol Ucajt nga Italia bashkë me të fejuarën e tij italiane. Herë pas here kryefamiljari i kërkonte llogari të birit që ishte i papunë, ndërsa vetë ai ka deklaruar se djali e dhunonte. Policia asnjëherë nuk e pranoi.
As nëna e Sokolit, gruaja e vrasësit. Por hera e fundit ka qenë më 30 janar 2013, ditën e krimit të trefishtë, kur pas një grindjeje Ëngjëll Ucaj denoncoi në polici për dhunë të birin. Pastaj u tha se pas kthimit në shtëpi atë e bir u përplasën fizikisht dhe sipas të moshuarit, i detyruar nga dhuna, mori armën dhe qëlloi ndaj të birit e më pas edhe ndaj shtetases italiane.
Madje kur Ucaj ra në duart e policisë dhe u pyet se ku e kishte marrë armën ai deklaroi se automatiku që përdori për kryerjen e vrasjes ndodhej në shtëpinë e tyre pasi e kishte sjellë i biri disa ditë para krimit!
Pas më shumë se 11 vjetësh babai vrasës i dha fund jetës në qeli, ndërsa aso kohe, në banesën që u tha ishte sherr mbeti e vetme me kufomat e tij, bashkëshortja e tij, e cila priste të vinte djali i vetëm i saj të kryente ceremoninë e varrimit!
/Gazeta Panorama