Pikantet e Elbasani-Teuta/ Tifozët “zhveshin” Hilën, panik për Ze Gomesh

Një shi i rrëmbyeshëm nisi në Elbasan një orë para startit të sfidës, duke “trembur” disi edhe tifozët. Megjithatë, pasi startoi sfida shiu pushoi dhe tifozët filluan të mbushnin tribunat me afro 4 mijë të pranishëm. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në “Elbasan Arena”, ku verdheblutë ktheheshin të luanin në shtëpinë e tyre një sfidë në Superiore pas plot 10 vitesh.

– Frika më e madhe ishte gjendja e fushës, me kryesorin që inspekton më herët gjendjen e saj dhe mjaftojnë disa hapa për të thënë që gjithçka është në kushte perfekte, përpos shiut të rrëmbyeshëm. Përveç ultrasve të Elbasanit, nuk munguan as ata të Teutës.

– Sulmuesi Ze Gomesh shkakton panik në kampin verdheblu që në minutën e gjashtë, kur rrëzohet në tokë pas një ndërhyrjeje ndaj tij. Për fat të mirë, pasi merr edhe ndihmën mjekësore, ai ia del të rikthehet në fushë.

– Ardit Hilën e “zhveshin” tifozët, ku i kërkojnë bluzën, me këtë të fundit që ua plotëson dëshirën dhe heq fanellën e tij.

– Trajneri Roberto Bordin gjen kohën të ngacmojë Hilën pas ndeshjes, duke i kujtuar rastin e humbur përballë Tafasit. Ai bën shenjën e goditjes me parabël dhe e “qorton” mesfushorin, që sipas trajnerit duhet ta zgjidhte ndryshe situatën. Moment që kaloi me të qeshura nga të dy protagonistët.

VLADIMIR MEMA