Kreu i QBNF Elbasan, Dr. Arben Ramkaj: Nevojitet transparencë dhe sensibilizim për mbetjet toksike nga kompania Kurum

Kryetari i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan, Dr. Arben Ramkaj, ka ngritur shqetësimin lidhur me zërat që qarkullojnë për praninë e mbetjeve toksike nga kompania Kurum dhe ndikimin e mundshëm të tyre mbi shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin përreth.

Në një postim të fundit në facebook, Dr. Ramkaj thekson rëndësinë e sensibilizimit dhe transparencës nga kompania, si dhe kërkon që politika lokale të sqarojë publikun mbi situatën reale lidhur me anijen lundruese dhe origjinën e këtyre mbetjeve. “Kjo është një çështje që na prek të gjithë ne dhe komunitetin tonë,” shprehet ai, duke nënvizuar se heshtja përballë të vërtetave është një ves i dëmshëm.

Kryetari i QBNF Elbasan bën thirrje për veprim të menjëhershëm dhe informim të qytetarëve për të shmangur pasojat e mundshme mbi shëndetin publik dhe mjedisin.

Statusi i plotë

“Miq të dashur, edhe pse thonë që  heshtja shpesh është artë, ka momente kur duhet të flasim për atë që na shqetëson. Ka zëra që flasin për mbetje toksike nga kompania Kurum dhe ndikimin që mund të kenë mbi shëndetin tonë dhe mjedisin përreth. Kjo është një çështje që prek të gjithë ne dhe komunitetin tonë.

Duhet sensebilizim dhe transparencë nga kompania në fjalë dhe politikbërja në qytet duhet të sqarojë qytetarët se çpo ndodh realisht më anijen lundruese në fjalë dhe a është pikërisht origjina e ketyre mbetjeve kanceroze nga qyteti i Elbasanit.

Heshtja kundrejt të vërtetave është ves i shejtanit memec.”