Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan ka përfunduar rikonstruksionin e saj të plotë, duke u shndërruar në një qendër të vërtetë artistike. Ky institucion arsimor tani është zgjeruar me klasa të reja, laboratorë shkencorë, palestër të re dhe një sallë koncertesh të dedikuar për 340 nxënës artistë. Ky projekt ambicioz u bë i mundur falë investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen e tij për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për mbështetjen e vazhdueshme në investimet arsimore, duke theksuar se shkolla “Onufri” është një simbol i Elbasanit, një institucion që ka nxjerrë artistë të shquar dhe ka fuqizuar jetën artistike jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë e Mesme.
“Për shumë vite, kjo shkollë ka qenë furnizuesi kryesor i Akademisë së Arteve me studentë të talentuar,” tha Llatja.
Tani, me infrastrukturën e re, shkolla është e gatshme të realizojë programin e saj 100%, dhe të zhvillohet më tej, duke përfaqësuar qytetin jo vetëm në evente kombëtare, por edhe ndërkombëtare.