Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin për Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2021.
Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar Paplekajn me 22 vite burg për ‘vrasje me dashje’, ndërkohë që ‘Apeli’ e ka ulur dënimin në 7 vite burg për ‘vrasje në kushtet e tronditjes psikike’.
Të pafajshëm nga akuzat për ‘shpërdorim detyre’ janë shpallur edhe 2 ish-nën drejtorët e Policisë Elbasan, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Po ashtu edhe efektivët e ‘Shqiponjave’, të cilët ishin nën akuzë për ‘shpërdorim detyre’, u shpallën të pafajshëm.
Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i PS, ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja e tij dhe u plagosën 4 persona të tjerë; Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Arbër Paplekaj ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte qëlluar për vetëmbrojtje.