Policia e Elbasanit nga kontrollet intensive të kryera ka arrestuar një 45- vjeçar për trafik droge pasi kërkohej nga Italia dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vjedhje.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kapi dhe ndaloi shtetasin Ermal Nonaj alias Marvi Nonaj, 45 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Apelit Torino, me vendimin e datës 11.03.2021, e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin A. Gj., 41 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 04.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Xh. Gj., më datë 01.09.2023, ka vjedhur në biznesin e një shtetaseje, kasafortën brenda së cilës ka pasur 60 000 lekë dhe 500 euro”, thuhet në njoftim.
Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Vlorë.