Armand Shehu ka marrë detyrën e n/kryetarit të Bashkisë Elbasan, duke zëvendësuar ish n/kryetarin Jetjon Gjura, i cili ka dhënë dorëheqjen pak javë më parë.
Shehu paraqet një figurë të pasur me përvojë në sektorin e menaxhimit dhe shërbimit ndaj komunitetit.
Shehu ka një histori të gjatë të angazhimit në shërbimin publik, duke filluar nga pozicioni i Shefit të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë Elbasan në vitin 2011, deri te pozita e Drejtorit të Drejtorisë së Auditit të Brendshëm në vitin 2014. Ai ka shërbyer gjithashtu si Drejtor i Drejtorisë së Kujdesit Social.
Shehu ka qenë pjesë e projekteve të shumta në fushën e ngritjes së kapaciteteve dhe bamirësisë, duke punuar me sukses në ndërthurjen e iniciativave vendore dhe ndërkombëtare. Përvoja e tij si drejtues dhe menaxhues e bën atë një udhëheqës të përshtatshëm për të përfaqësuar dhe promovuar një mjedis të harmonizuar dhe tolerues në Bashkinë Elbasan.
Armand Shehu ka përfunduar Masterin Shkencor në Shkenca Politike në Universitetin Europian të Tiranës në vitin 2016. Përpara se të fillonte shërbimin publik, ai është diplomuar për Administrim-Biznes në Universitetin e Katarit në vitin 2006, duke treguar kështu një përkushtim të vazhdueshëm ndaj zhvillimit personal dhe profesional.