Shkrihen akujt/Takim mes Kryetarit të KMSH-së dhe Kryetarit të Dijanetit të Turqisë

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ndodhet në Mekë/Arabi Saudite, ku po merr pjesë në konferenën ndërkombëtare me temë “Komunikim dhe Integrim”.

Kryetari Spahiu ndodhet në këtë konferencë me ftesë të posaçme të Shkëlqesisë së Tij, Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Ministër për Çështjet Fetare në mbretërinë e Arabisë Saudite, me të cilin zhvilloi edhe një takim të veçantë pasditen e sotme.

Kryetari Spahiu dhe Shkëlqesia e Tij, Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh folën për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekzitson mes Komunitetit Mysliman dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare Saudite.

Fokusi i bisedës ishte zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në të tjera fusha me interes të përbashkët dhe me një qëllim të vetëm, shërbimin ndaj Islamit dhe përcjelljen e pastër e të drejtë të mesazhit në vendet respektive dhe mbarë botën.

Kryetari i KMSH gjithashtu pati edhe një takim rasti me Kryetarin e Dijanetit turk prof. dr. Ali Erbash. Siç duket edhe nga fotot e realizuara gjatë konferencës duket se akujt janë shkrirë dhe një marrëdhënie e re ka nisur mes Dijanetit turk dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar.


Ky takim është edhe rruga për hapjen së shpejti të Xhamisë së Madhe të Tiranës e cila, për shkak të marrëdhënieve të ngrira prej shumë kohësh vonohej hapja e saj.
Kujtojmë se Turqia zyrtarisht ka akuzuar se Komuniteti Mysliman Shqiptar është zaptuar nga anëtarë të organizatës Gylen.