Po bënin plan të vidhnin një shtëpi në Elbasan. Arrestohet 23 vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori.

Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishin planifikuar të vidhnin një banesë në Elbasan.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se u kap në flagrancë shtetasi me Angjelos Mehja, 23 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, Marenglen Ibrahimi, 44 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Iniciativa”, kundër vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Kishin siguruar mjetet për të vjedhur në një banesë, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon ngjarjen kriminale.

Arrestohet në flagrancë njëri nga autorët e këtij rasti, identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen automjeti i përdorur nga këta shtetas, për të shkuar drejt banesës ku donin të vidhnin, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, municion luftarak, si dhe një radio si e Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Skënderbej”, ishin vënë re lëvizje të dyshimta të 2 shtetasve, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij njoftimi.

Si rezultat i mbërritjes së menjëhershme në vendngjarje, shërbimet e Policisë parandaluan një vjedhje në një banesë.

Për këtë rast, në kuadër të operacionit policor të koduar “Iniciativa”, u kap në flagrancë shtetasi A. M., 23 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi M. I., 44 vjeç.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin siguruar mjetet për kryerjen e vjedhjes në një banesë në lagjen “Skënderbej”.

Në afërsi të banesës ku synohej të vidhej, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjeti i përdorur për të shkuar drejt banesës ku do të kryhej vjedhja, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, municion luftarak, si dhe një radio si e Policisë.

Vijon puna për kapjen e 44-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.