Rikthehet kompetenti, Boçi “peshkon” një tjetër Italian dhe flet si Kryeministër

Nuk kanë të ndalur çudirat me kandidatin e koalicionit të drejtuar nga “Partia e Lirisë” së Ilir Metës në Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi. Pak ditë më parë ai prezantoi dhe nënshkroi në publik një memorandum bashkëpunimi me një kompani të quajtur “F5 Finance LTD”. Kompania rezultoi në fakt të ishte e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020 dhe mbante statusin e një kompanie të pezulluar. Përveç gjendjes cash që deklaronte se e posedon, nuk rezultoi prezente në asnjë projekt të ngjashëm ndërsa ka qenë një kompani “dormant”, ose e pezulluar që prej ditës kur u themelua në Mbretërinë e Bashkuar.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Boçi u rikthye një ditë më parë me perlën e rradhës. Këtë herë kujdesur që të mos kishte të pranishëm përfaqësues të mediave në Elbasan por vetëm stafin e tij të ngushtë të fushatës. Ai deklaroi firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi për ndërtimin e një parku diellor në qytetin e Elbasanit. Teksti i këtij dokumenti që u deklarua i firmosur nuk ju bë me dije asnjë përfaqësuesi të mediave të cilave ju shpërnda vetëm një njoftim i shkurtër.

Njoftimi i shpërndarë nga Boçi është shumë interesant. Njësoj si në rastin e parë, edhe këtë herë shfaqjen krah Boçit e luan një personazh Italian i prezantuar si inxhinier Gabriele Daini. Se çfarë përfaqëson ky njeri mjafton një search në Google dhe do kuptosh se është thjesht një anonim. Boçi fillimisht thotë se ka firmosur memorandum me një kompani partnere të grupit europian Edison. Pastaj thotë se firmosi me Dainin si drejtor të shoqërisë E-Life Project. Në fund thotë se E-Life Project është pjesë e grupit Italian IES. Askund nuk kuptohet çfarë lidhjeje ka grupi Edison me shoqërinë E-Life Project dhe as me IES. Lidhja nuk ekziston sepse është thjesht një turli emrash të vendosur për të fshehur kompleksimin nga mashtrimi i parë me një kompani anonime të pezulluar.

Qartësisht nuk ka asnjë kompani serioze në botë që do të pranonte të firmoste memorandum bashkëpunimi me një kandidat për kryetar bashkie. Aq më pak kur lejet, licencat dhe autorizimet për ndërtimin e parqeve diellore për të cilat flet Boçi janë në kompetencë të qeverisë dhe jo të bashkisë. Tregues i qartë i faktit se përveçse shkëlqen si profesor letërsie në recitim publik, Luçiano Boçi nuk ka asnjë haber për administrimin publik dhe as kompetencat e pushteteve.

E zëmë për një moment sikur kompanitë që përmend Boçi të ishin reale. Sikur memorandumi me një kandidat për kryetar të ishte një praktikë e konsoliduar ligjore. Sikur parqet diellore të ishin në kompetencën e Bashkisë dhe jo të qeverisë. Lind pyetja, si mundet Luçiano Boçi të caktojë se kush do të kryejë një projekt për park diellor pa kaluar në asnjë procedurë konkuruese, pa asnjë transparencë, pa garë dhe si marrëveshje personale mes dy personash?! Si mundet një kryetar bashkie të paracaktojë fituesin e një gare dhe mundësisht ta shesë atë për sukses?! Një tjetër arsye më shumë për të kuptuar njohurinë zero të Luçiano Boçit për ligjet dhe detyrimin për të ndjekur rrugët ligjore në administrimin publik.

Të tilla premtime, memorandum dhe firmosje janë thjesht një skemë kjo që të kujton ish-pronaren e firmës rentiere Sudja, e cila njihet për frazën e saj epike “erdhi kompetenti”.