“Grupet vulnerabël janë më të rriskuara për të rënë pre e fenomenit të shit-blerjes së votës. Janë pikërisht kushtet ekonomike ato që detyrojnë këta individë që sa herë ka zgjedhje ta shesin votën e tyre”.
Edhe pse shit- blerja e votës është e ndaluar me ligj ky fenomen nuk është çrrënjosur nga shoqëria shqiptare prej më shumë se 3-dekadash. Grupet vulnerabël janë më të rriskuara për t’u ekspozuar përballë këtij fenomeni.
Një fakt të tillë e pranon edhe komuniteti rom që jeton në Rrapishtë të Elbasanit. Sipas tyre ata janë në dijeni të faktit se në lagje ka njerëz që e shesin votën edhe për disa pako makarona.
“Këtu në lagjen tonë, kur vjen ndonjë deputet, i shesin votat edhe për 50 mijë lekë, për një pako oriz, ose një pako makarona. Nuk është e mira kjo”, shprehet një prej qytetarëve.
Të tjerë banorë të cilët thonë se vetë e çmojnë vlerën e votës dhe rëndësinë e saj përpiqen të justifikojnë arsyet që e detyrojnë komunitetin ta shesi votën. Ata i mëshojnë faktit se lufta për mbijetesë prevalon.
Aktivisti i komunitetit rom dhe egjyptian në Elbasan Ervis Çota, i cili shpesh alokon për të drejtat e këtij komuniteti e pranon fenomenin e shit-blerjes së votës, ndaj përcjell apelin e tij për shoqërinë në prag zgjedhjesh.
Më pak se 2 javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Shqipëri votuesit kanë mundësinë të njihen me programet dhe alternativat e kandidatëve të subjekteve përkatëse për të zgjedhur më 14 maj alternativën më të përshtatshme për ta.