Elbasani është një ndër bashkitë ku gara politike për zgjedhjet lokale të 14 majit parashikohet të jetë mjaft e fortë.
Një nga bashkitë më të mëdha në vend, me 171 700 votues, përfshi edhe njësitë administrative, dhe me rreth 108 mijë votues vetëm në qytet, Elbasani ka angazhuar maksimalisht Partinë Socialiste për të marrë mandatin e radhës me kryetarin aktual të bashkisë, Gledian Llatja, por edhe koalicionin “Bashkë fitojmë” të opozitës për të bërë kthesën e madhe pas 16 vitesh në Elbasan, me kandidatin Luçiano Boçi.
E ndërsa gara për zgjedhjet e 14 majit ka nisur, qytetarët elbasanas renditen ndër personat me të ardhura ekonomike nën mesataren e nevojshme, ku zona industriale e ish-kombinatit metalurgjik shikohet edhe si një mundësi punësimi, por edhe si faktor që ndot çdo ditë në mënyrë të rrezikshme mijëra banorë.
Institucionet lokale shtetërore shikohen si mundësitë kryesore për punësimin e banorëve të Elbasanit, pasi sipërmarrja e biznesit është ende në nivele të ulta. Ndërsa rendi dhe siguria në prag zgjedhjesh me akuza të ndërsjellta për përdorimin e personave me precedentë penalë kanë qenë bashkëshoqëruese e fushatave elektorale.
Por, çfarë presin qytetarët elbasanas nga zgjedhjet e 14 majit? A i kanë ndier ato zhvillimet që reklamohen nga mazhoranca, apo shpresojnë tek kthesa që opozita premton si zgjidhje?
“Këtu në Elbasan është skandal fare. Punë nuk ka, lekë nuk ka…”, thotë një qytetare.
“Asgjë nuk presim nga kandidatët. Të dy i njohim. Kur nuk pritëm 32 vite, çfarë të presim tani? Këta mundohen për vete, jo për ne”, thonë dy të moshuar.
Por, ajo që gjithë qytetarët elbasanas e urojnë njëzëri, është që zgjedhjet e afërta të mos kenë atmosferën dhe ngjarjet e rënda kriminale që patën zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 në këtë qytet./A2news