Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e fshatit Mengël në Labinot – Fushë mbi çfarë është bërë deri më tani dhe projektet që do të vazhdojnë për Elbasanin.
Gjiknuri deklaroi se Elbasani nuk duhet lënë në dorë të aventurierëve politik të cilët e duan bashkinë për betejat e tyre politike. “Nuk duhet të shkëputen zgjedhjet vendore nga qeverisja e përgjithshme sepse gjërat janë të lidhura. Ne nuk duhet që Elbasanin ta lëmë në dorë të disa aventurierëve politik që kanë hall sesi të punësojnë disa militantë të tyre. Ne do punojmë, përfundim projektesh, rritje pagash, rritje pensionesh. Prandaj na shikoni si një ekip. Ekipi ka këto benefite. Në fund të fundit Luçianon e kemi parë, ka qenë kryetar i Partisë Demokratike, ka qenë kandidat për kryetar bashkie, humbi. Disa mesazhe propagande që vijnë nga kundërshtari ne duhet ti çojmë te koshi i plehrave. Martesa Berisha – Meta janë e shkuara, Edi Rama është procesi të shkojmë përpara. Edi Rama me gjithë këtë ekip të mrekullueshëm”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve nënvizoi se kandidatura e Gledian Llatjas dhe PS janë garanci për vijimin e projekteve në Elbasan. Ai theksoi se e djathta ka treguar se dhe kur e ka pasur pushtetin, nuk ka bërë asnjë punë.
“Ne këtu vijmë si një ekip i tërë, këtu është çelësi jonë i suksesit si Parti Socialiste. Kemi një organizatë të fortë dhe nuk jemi vetëm. Glediani nuk kandidon thjesht si një individ aty, se patjetër çdo individ mund të vijë këtu mund të flasë bukur e të hapë thesin e premtimeve por problemi është se sa të mundshme i ke, çfarë përfaqëson dhe çfarë ke bërë më parë? Ky është realiteti.
Në fakt po të shikojmë kundërshtarët, ne ato i njohim mirë kush janë e çfarë kanë bërë më parë, po ti vëmë në kandarin e vërtetësisë ata kanë treguar se çfarë nuk kanë bërë për Elbasanin kur kanë qenë në pushtet. Problemi është se bashkia nuk matet vetëm nga një individ se kush e drejton atë por kush e përfaqëson dhe çfarë garancish ka për ato që thotë e sa mund ti bëjë realitet”, deklaroi ai.
Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se janë të shumta projektet e parashikuara nga qeveria dhe Edi Rama për Elbasanin. “Ne këtu duam një administrator bashkie. Po qe për profesor shko në Universitetin e Elbasanit dhe jep mësim aty. Ai e do administratën që të fusë ca militantë të PD-së aty. Prandaj them që ne do të bëhemi shumë të kujdesshëm për votën ta çojmë aty ku na intereson që të përfundojmë gjithë këto projekte të nisura. Ne këtu kemi një të dërguar të Berishës dhe Metës të dy duan të eksportojnë atë revolucionin e Tiranës. Fatkeqësisht ata nuk po i ndjekin as njerëzit e vet. E patë stadiumin si u zbraz që ikën kur foli Saliu. Aq janë ata. Elbasani, qendra e Shqipërisë, gjithë këto projekte që po zhvillohen me qeverinë e Edi Ramës s’kemi pse i lëmë në mes”, theksoi numri dy i socialistëve.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, njëherësh dhe kandidat i PS, renditi shumë prej investimeve të rëndësishme në Elbasan që do të rrisin zhvillimin ekonomik.
“Procedurat e Bankës Gjermane KFV – së që kemi pasur për kanalizmet e ujërave të zeza kanë përfunduar, jemi në fazën e fundit të lejes së ndërtimit për të filluar punën. Gjithashtu po vazhdojmë me projektin e Auto Moto Parkut dhe të rrugës që na rregullon një pjesë të madhe të problematikave, sidomos atyre që kemi tek frigoriferi. By – Passi i Elbasanit që ka qenë një kërkesë e kahershme e jona, i cili heq trafikun në mes, dhe që ndan mes për mes fshatin dhe lagjen, tashmë është një projekt konkret, falë edhe mbështetjes së qeverisë Rama. Ju e shihni se pjesa e Korridorit të 8 – të nga Elbasani deri në Librazhd, zgjerimi i tij, po punohet me ritme të shpejta. Prandaj na duhet një mbështetje e fortë këtë herë, për të vazhduar punët e mira. Do të bëjmë punë shumë herë më të mira në këtë 4-vjeçar”, deklaroi Llatja.