Aksi Elbasan-Peqin është një ndër akset e zeza në qarkun e Elbasanit përsa i përket sigurisë rrugore. Mungesa e ndriçimit në këtë aks rrugor ka sjellë si pasojë shumë aksidente me humbje jete. Më të rrezikuarit janë banorët e fshatrave të cilët ndërlidhen pranë rrugës nacionale pasi e kanë të vështirë kalimin e tyre gjatë orareve të mbrëmjes. Rruga është tërësisht pa ndriçim dhe pa shenja sinjalistike.
Banorët e fshatrave Papër dhe Pajun, shprehen se situata është tepër alarmante. Çdo ditë ata hasin vështirësi për të kaluar rrugën, ku më të rrezikuarit janë fëmijët dhe mosha e tretë, ndërsa në mbrëmje kalimi i rrugës kryhet duke mbajtur një elektrik në dorë. Ata kërkojnë që në pjesët ku fshatrat ndërlidhen me rrugën nacionale të ketë një mbikalim.
Lidhur me mungesën e ndriçimit në aksin rrugor Elbasan-Peqin, inxhinieri dhe specialisti rrugor i sinjalistikës Alim Lulja, shprehet se ky aks dhe pse është tepër i rënduar, është një rrugë dytësore dhe sipas rregullave nuk kërkohet me insistim që e gjithë rruga të jetë i ndriçuar.
Ndonëse në pikat ndërlidhëse të fshatrave në këtë aks duhet të ketë ndriçim, në shumicën prej tyre ka një mungesë të theksuar ndriçimi, çka sjell dhe një numër të madh aksidentesh. Inxhinieri dhe Specialisti Rrugor Alim Lulja është mosbesues që autoritetet do të vendosin ndriçim në këtë aks, pasi quhet një rrugë dytësore, pasi ka pjesë të rëndësishme në autostradë e cila ende dhe sot është e pandriçuar.
Nga muaj janar i këtij viti dhe deri në muajin prill, në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë kryer rreth 14 aksidente, ku 3 prej tyre kanë qëlluar me humbje jete.