Elbasani është lëkundur mbrëmjen e të mërkurës dhe paraditen e së premtes nga tërmete me magnitudë të ulët.
Sipas Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, epiqendra ishte 6 km thellë në tokë.
“Tërmeti i së mërkurës ishte me magnitudë 3.5 i shkallës Rihter, që do të thotë se ishte 4-5 ballë në intensitetin në epiqendër. Është një tërmet që thjesht ndihet disi nga banorët, por që nuk shkakton asnjë lloj efekti sipërfaqësor në objekte ose ndërtesa. Qoftë edhe në ndërtesa të vjetra, termeti 3.5 shkalla Rihter nuk shkakton dëme, pasi janë tërmete normale. Këto quhen tërmete të vegjël, që bien herë pas here në zonën e Elbasanit, sepse zona e Elbasanit bën pjesë në një zonë aktive të vendit tonë që është Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër, një zonë tërthore që aktivizohet herë pas here.
Ndjeshmëria e njerëzve është e madhe veçanërisht pas tërmetit shkatërrimtar të Durrësit më 26 nëntor 2019, që shkaktoi dëme shumë të mëdha në metropolin Tiranë-Durrës, dhe la pasoja tek popullsia, nga më i madhi tek më i vogli. Ajo ditë nuk harrohet për shkak të efekteve të saj dhe ndjesia ka mbetur tek njerëzit, ndaj kjo është arsyeja që shqetësohen edhe për këto tërmete të cilat nuk përbëjnë asnjë problem. Por sidoqoftë sqarimi i njerëzve dhe i publikut është i domosdoshëm që ata të mos kenë asnjë lloj paniku. Janë thjesht fenomene natyrore, tërmete të vegjël, që çlirohen herë pas here në truallin e vendit tonë, sidomos në zonat aktive që përmenda më sipër. Energjia e akumuluar është më mirë të çlirohet vazhdimisht, sesa të grumbullohet e të shpërthejë më pas duke lënë pasoja”, tha Rrapo Ormëni, Sizmolog.
Top Channel