Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja së bashku me deputeten Desantila Tahiraj zhvilluan një takim me banorë të fshatit Kyçyk prej ku mori mbështetjen e tyre për vijimin e punëve të mira dhe për 4 vitet e ardhshme.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se zona e Treganit, me të gjithë fshatrat e saj, është një nga potencialet më të mëdha të turizmit kurativ që ka Bashkia e Elbasanit dhe si e tillë do të jetë fokusi i vëmendjes dhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. “Ne sot po bëhemi gati për garën tonë elektorale, një garë në të cilën ne shkojmë të bindur drejt fitores, drejt mandatit të ri, për të ecur përpara edhe 4 vite të tjera në zbatimin e programit tonë që kemi për ndryshimin e Elbasanit. Ne do të fillojmë shumë shpejt me rrugën që lidh dy llixhat, llixhat lart dhe llixhat poshtë. Do të fillojmë rrugën që lidh hotelet dhe të shkurtohet distanca ndërmjet dy llixhave edhe për këmbësorët, por edhe për turistët që vijnë. Ne do vazhdojmë me mbështetjen tuaj në të gjitha fshatrat. Por kryesisht atje ku kemi një potencial të lartë turistik. Zona e llixhës është dhe do të mbetet një nga zonat kryesore për mbështetje në infrastrukturë dhe mbështetje në zhvillim” tha Llatja.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se krahas ndërhyrjes në çdo lagje, një vëmendje të shtuar i jepet dhe mbështetjes së bizneseve. “Ne po ndërhyjmë në çdo njësi, në çdo fshat, në çdo lagje. Ne nuk po shohim vetëm problematikat me rrugët apo me kanalizimet, po shohim edhe mbështetjen e vazhdueshme për bizneset, ne do të kemi një zhvillim ekonomik më të madh, më të mirë, ne për këtë kemi luftuar dhe prandaj na duhet edhe ndihma juaj” theksoi Llatja.
Por puna e bashkisë në nuk do të përqendrohet vetëm përsa i përket turizmit në Tregan. Llatja garantoi se shumë shpejt do të nisë edhe rikonstruksioni i shkollës dhe asfaltimi i rrugës së fshatit Kyçyk.
“Kemi qenë në vazhdimësi edhe me deputeten që ka qenë gjatë gjithë kohës konseguentë tek kërkesat për shkollën. Tani është radha pasi për dy shkolla kemi çuar për projektet që hapen tani, shkolla “Naim Frashëri” në qytet dhe shkolla e Treganit për ta rindërtuar komplet. Ne do vazhdojmë të bëjmë punë të mira për çdo prioritet”, tha ai.
Deputetja Desantila Tahiraj u tha banorëve të fshatit Kyçyk se Gledian Llatja ka treguar se di të punojë çdo ditë dhe kanë qenë pranë nevojave të komunitetit.
“Partia Socialiste kërkon një mandat të dytë në krye të bashkisë. Gledian Llatja, i cili e ka treguar me vepra, jo me fjalë. Gledi nuk ka bërë publicitet për veten në media të ndryshme. Ai ka bërë vepra, ka punuar për njerëzit, ka bërë punë publike. Gledi ka respektuar shumë mendimet e njerëzve, sepse ato janë e vërteta, ato janë kërkesat dhe nevojat e tyre. Unë jam shumë e sigurt që do të na mbështesni”, deklaroi Tahiraj.