Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me pensionistë për të diskutuar mbi bilancin e punëve të bëra deri më tani dhe mbi projektet për zhvillimin e Elbasanit për katër vitet e ardhshme.
Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, nënvizoi se falë bashkëpunimit qeveri-bashki, në Elbasan do të ketë një sërë investimesh të rëndësishme. “Të gjitha këto ndryshime për qytetin e Elbasanit kanë vlerë sepse përmirësojnë cilësinë e jetës suaj. E para njëherë në qoftë se do bëhet një shëtitore buzë Shkumbinit ku ka më mirë sesa të gjithë ju do ta shfrytëzoni atë për të kaluar kohën. Së bashku dhe me kryeministrin kemi diskutuar dhe besoj 4-vjeçarin tjetër do ta bëjmë restaurimin e të gjithë lagjes së Kalasë. Ky është një projekt që ia ka kërkuar Kryeministri kryetarit të Bashkisë për ta bërë. Do të thotë që identiteti i elbasanlliut me restaurimin e asaj kalaje dhe asaj lagjeje Elbasani do ta ngrejë në një nivel tjetër. Këtë e ka marrë garanci nga kryeministri”, tha Gjiknur
Numri dy i socialistëve deklaroi se kjo nuk është një betejë personale me kundërshtarin. Ai nënvizoi se Gledian Llatja ka të gjithë mbështetjen e qeverisë dhe Kryeministrit Rama për ta zhvilluar më tej Elbasanin.
“Për zhvillimin e Elbasanit, a do ta kemi binomin qeveri të Partisë Socialiste dhe bashki të Partisë Socialiste? Jo thjesht për të pasur atë flamurin e fitores politike, por pikërisht që të gjitha këto projekte që i kemi nisur, ne t’i bëjmë realitet. Se ndryshe nuk bëhen dot realitet këto. Çfarë përfaqëson kundërshtari? Nuk kemi gjë personale me kundërshtarin. Po Luçiano ne e dimë kush është. Është ish kryetar PD-je, ish-pushtetar, përfaqësues i Sali Berishës atëherë, përfaqësues i Sali Berishës tani. Me çfarë do ti bëjë? Kur flet për vizionin e zhvillimit të Elbasanit çfarë vizioni ke për Elbasanin? Vërtet mund të kritikosh është kollaj të thuash fjalë të bukura. Problemi është se nuk duam fjalë ne duam vepra. Si do i bësh ti? Ti përfaqëson foltoren këtu në Elbasan. Ti përfaqëson atë që e quan Saliu revolucion. Se Ilir Metën dhe Sali Berishën kemi 30 vjet që i kemi provuar dhe këtu në Elbasan nuk është se kanë ndonjë rekord të mirë. Si do qeverisësh ti i vetëm, pa qeverinë nga mbrapa, pa projekte konkrete pa vizion, pa ekip?”, tha ai.
Gjiknuri kërkoi mbështetjen e moshës së tretë për Gledjan Llatjen dhe këshilltarët socialistë.
“Mirëadministrimi i kryetarit të bashkisë edhe rritja e ekonomisë së Elbasanit ka rritur më shumë të ardhurat dhe ai ka ndërhyrë në shumë lagje të qytetit. Nga ana tjetër, qeveria qendrore i gjendet në mbështetje me projektet e mëdha se nuk i bën dot Bashkia e Elbasanit. Prandaj ne duam këtë lidhje të mirë Parti Socialiste në Elbasan në bashki me qeverinë, që ta mbajmë fort dhe mos ta shkëpusim. Të përfitojmë nga ky moment zhvillimi për Elbasanin. Prandaj duhet t’ua thoni kujtdo që takoni se pse është e rëndësishme kjo votë. Për mos ta ndërprerë këtë tren të nisur të zhvillimit të Elbasanit”, theksoi Gjiknuri.
Drejtuesi politik i PS tha se PS ka treguar në qeverisje qendrore dhe në nivel lokal se është pranë shtresave në nevojë dhe moshës së tretë. “Gledi e ka treguar veten që është i kujdesshëm ndaj moshës së tretë. Edhe ajo iniciativa për drutë e zjarrit me çmime të lira për njerëzit më në nevojë është aspekt humanitar i drejtuesit të bashkisë. Janë bërë mëse tre pagesa për pensionistët para vitit të ri, pas vitit të ri dhe tashmë pesëdhjetë mijë lekëshi tjetër. Nuk lëvizi çmimi i energjisë siç lëvizi në vendet e tjera. Të gjitha këto janë masa sociale, siç janë një pjesë e analizave falas, siç janë me dhjetëra që marrin dializë falas. Siç është rasti i fundit për fishat e diabetit të cilat edhe ato janë falas. Me rritjen ekonomike patjetër do të përkthehen në mbështetje më të madhe për të gjitha shtresat”, deklaroi Damian Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja vlerësoi pensionistët për përkrahjen e vazhdueshme duke pasur besim në vizionin dhe misionin e tij për zhvillimin e Elbasanit. Llatja tha se Bashkia e Elbasanit ndjek politika sociale në mbështetje të moshës së tretë dhe kategorive të pafavorizuara. “Ju kam pasur këshilltarët më të mirë dhe realisht vazhdoj t’ju kem këshilltarët më të mirë dhe një nga mbështetjet më të forta. Bashkë ishim edhe gjatë pandemisë, ku një pjesë e madhe e juaja nuk dilte nga shtëpia, ku ata që ishin të vetmuar duhet t’u sillnim ne ndihma ekonomike bashkë me rininë e qytetit. Gjithashtu flasim për përjashtim të taksave dhe tarifave vendore për pensionistët e vetmuar, të cilët kanë qenë dhe do të jenë në qendër të vëmendjes së pushtetit vendor. Ne këtë vit kemi përjashtuar një sërë taksash dhe tarifash për pensionistët e vetmuar, ne kemi shpërndarë dru zjarri, kemi bërë dhe kemi rregulluar lulishtet në qytet, kemi zhvilluar dhe do të zhvillojmë ambientet për të moshuarit”, deklaroi Llatja.
Ai renditi dhe një sërë investimesh të reja që do të realizohen në lagje duke sjellë jo vetëm urbanizim por dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjitha grupmoshat.