Gjatë një takimi me banorët e lagjes “Partizani” të Rajonit Nr.4 për të bashkëbiseduar mbi investimet e kryera në zonë, dhe transformimin e Elbasanit, kryetari i bashkisë Gledian Llatja në praninë edhe të drejtuesit politik të qarkut Damian Gjiknuri si dhe të gjithë ekipit drejtues, ka folur për punën që është bërë këto katër vite nën drejtimin e tij si dhe për projektet madhore që kanë filluar dhe do të vijojnë edhe 4 vitet e ardhshme.
Duke bërë një përmbledhje të punës së bërë gjatë mandatit të parë, Llatja e vuri theksin tek problematikat që kishte ky rajon por edhe tek vizioni që ai vet ka pasur për projektet e mëdha.
Llatja tha se “po ecim drejt projekteve tona për ta shndërruar Elbasanin në një qytet europian. Në këto katër vite i kemi dhënë një impuls të ri zhvillimit të infrastrukturës në qytet. Më parë kishin mbaruar bulevardin, kishin mbaruar rrugët kryesore, një sërë investimesh të mira në qendër të qytetit por edhe në rrugët lidhëse dhe në këtë mandat ne jemi fokusuar tek zonat e brendshme, jemi fokusuar tek zonat informale, tek sheshet e pallateve, tek rrugët e brendshme të lagjeve të vjetëra të Elbasanit. Këto kemi bërë për 4 vite, kemi vijuar me zhvillimin e infrastrukturës dhe po vazhdojmë gjithandej me punë, do vazhdojmë me kanalizimet e ujërave të zeza, tek lagjja e Zaranikës pritet të fillojë këto ditë. Kemi investuar tek shkollat dhe kopshtet dhe po vazhdojmë me infrastruktturën arsimore në përgjithësi, i kemi dhënë një impuls të ri sportit dhe nuk kemi lënë sektor pa prekur. Kemi investuar në bujqësi, në kanalet kulluese e vaditëse, në rrugët e arave dhe në fshatrat e mëdhenj në mirëmbajtjen rutinë të rrugëve. Por fokusi ynë i veçantë është rritja e ekonomisë.
Dihen prioritetet tona për të ardhmen: e para është ekonomia dhe rritja e turizmit, projekti i Auto Moto Parkut me ndihmën e madhe nga ana e qeverisë dhe të kryeministrit Rama, i cili ka për të sjellë një zhvillim të madh ekonomik dhe një impuls të ri Elbasanit. Prandaj kemi edhe mbështetjen e pakushtëzuar të kryeministrit, për bypassin e Elbasanit që është mëse i domosdoshëm, për Korridorin 8, ku çdo ditë po prekim fizikisht punën që po bëhet aty.
Jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me hekurudhën shqiptare dhe me projektin që kemi me Bashkimin Europian për hekurudhën e Elbasanit që do jetë nga Rrogozhina në Gurëkuq. Kemi mbështetjen e madhe të qeverisë për të investuar, kemi pasur një mbështetje të madhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të përmirësuar infrastrukturën tonë të brendshme. Ne po investojmë dhe jemi në proces, po shtrihemi gjithandej nga Funari deri në Gjinar që t’i kthejmë këto në një atraksion turistik që të ndikojë në ekonominë e qytetit.
Ne jemi koshient se kemi një numër të kufizuar çerdhesh sot dhe se duam t’i dyfishojmë ato mandatin tjetër dhe prandaj duam që ecim përpara me projektet tona pa u ndalur. Ky është vizioni ynë, vizioni i punëve konkrete. Ne kemi bërë 72 projekte konkrete brenda 2 viteve si në qytet ashtu edhe në fshat, investime që sjellin zhvillim. Dhe prandaj do të kërkojmë edhe njëher tjetër mbështetjen e qytetarëve të Elbasanit, ashtu siç më mbështetën në 2019-ën, unë kërkoj edhe njëher mbështetjen e tyre për punët që janë bërë por edhe për projektet që kemi” – tha Llatja përpara qytetarëve.