Një ngjarje e rëndë u regjistrua mëngjesin e së mërkurës në Elbasan. Një 13-vjeçar në gjendje somnambul ra nga ballkoni i banesës së tij duke ndërruar jetë menjëherë. I mituri ndodhej vetëm në shtëpi në momentin e ngjarjes së rëndë. Të afërmit e tij konfirmuan se 13-vjeçari vuante nga ecja në gjumë, e cilësuar nga piskolgët si somnabul. Somnambulizmi, është një çrregullim që ndodh gjatë gjumit të thellë dhe çon në ecjen apo kryerjen e veprimeve të tjera komplekse.
E ftuar në emisionin 7 pa 5, në Vizion Plus, psikologia Eksena Qirici ka shpjeguar këtë çrregullim. Ajo shprehet se ky çrregullim shfaqet kryesisht gjatë fëmijërisë dhe gjatë kohës kur njeriu është në gjumë të thellë.
Ajo e cilësoi si një manovër të trurit gjatë pjesës së zhvillimit që zakonisht konsiston në ecje dhe veprime të cilat nuk memorizohen. Psikologia theksoi se kjo gjendje mund të rezultojë dhe në situata të rrezikshme, siç ishte ajo e djalit 13-vjeçar në Elbasan.
“Flasim për një çrregullim gjumi i cili kryesisht është i rrallë, nuk ndodh shpesh dhe nuk kërkohet këshillë apo konsulta mjekësore dhe profesionale. Është një nga tipet e caktuara të çrregullimit të gjumit, që kryesisht shfaqet në formën e ecjes. Ka dhe disa forma të tjera, por konkretisht për këtë rast shfaqet në gjumë. Kryesisht ndodh gjatë fëmijërisë. Është një çrregullim i procesit të zgjimit. Truri gjatë kësaj pjese të zhvillimit bën një lloj manovre, gjatë pjesës së zhvillimit, të cilin krijon këtë lloj situate, pasi krijohet në fazën e tretë të gjumit, kur njeriu është në gjendje të thellë gjumi dhe bën veprime të cilat nuk i mban mend dhe normalisht kthehen dhe në situate të tilla të rrezikshme. Djali ishte vetëm”, tha ajo.