Ekipi i peshëngritjes, një sport i mirëfilltë në qytetin e Elbasanit, tashmë kryen stërvitje në kushte komode dhe të përshtatshme. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Çela, ekipi duke pasur të gjitha kushtet, synon që të marrin pjesë në kampionate Europiane dhe Botërore. Duke pasur edhe mbështetjen e bashkisë së Elbasanit, trajneri i Peshëngritjes si edhe ekipi i tij, janë të bindur se Elbasani do të vijojë të jetë kampion.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, duke vlerësuar punën e tyre të palodhur në stërvitjet që kryejnë çdo ditë, e vuri theksin tek stabilizimi financiar që i janë kryer terreneve sportive në Elbasan.
“I kam treguar një vëmendje të veçantë ekipeve shumësportësh në Elbasan, duke filluar që nga Pallati i Sportit “Tomorr Sinani”, Sporti i Vjetër “Shefqet Lamçja”, palestrat në shkolla, deri tek Fusha e Kuqe në Gjinar”.
Nga ana e tyre, sportistët e ekipit të peshëngritjes kanë falenderuar kryetarin e bashkisë për investimet që ka kryer në ambjentet sportive në Elbasan.
“Ka një ndryshim të dukshëm, është kënaqësi teksa sheh Pallatin e Sportit në darkë, sikundër edhe Sportin e Vjetër, ndriçimi dhe pamja janë shumë të dukshme, ke dëshirë ta shohësh dhe të kënaqesh, është fantastike, dikur ishte si një pazar.
Sipas kryebashkiakut Llatja “jemi me fat që kemi terrene të tilla, ne e kemi kthyer vëmendjen tek sporti, ato që ju duhen edhe ju për performancën tuaj, ndaj do të keni mbështetjen tonë, ne do t’u përgjigjemi për gjithçka”, përfundoi Z. Llatja.