Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi se, është paraqitur në SPAK për të dëshmuar për një nga abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro.
Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.
Gjiknuri urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në Dhjetor të vitit 2017.
“Isha për të dëshmuar në lidhje me rolin tim si Ministër në konstatimin e një nga abuzimeve më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri; Rruga Tiranë – Elbasan e cila ishte kontraktuar me 250 milion euro dhe përfundoi me një kosto 400 milion euro. Shpjegimet e mia i dhashe ne Prokurori, kështu që skam ndonjë gjë për të shtuar ”, deklaroi ai.
Gjiknuri u thirr për të dëshmuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Ai dha sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.