Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Elbasan Adi Qose nëpërmjet një postimi në facebook ka dhënë një lajm të mirë për përdoruesit e mjeteve. Deri pak ditë më parë nëqoftëse një pronar mjeti nuk kishte paguar brenda vitit taksën vjetore të makinës, ishte i detyruar që në vitin pasardhës të paguante të dy vitet.
Tashmë ky rregull është shfyqizuar dhe qytetarët mund të paguajnë vetëm vitin që nuk kanë paguar dhe nëse u ka kaluar afati ata do të paguajnë 0.06% kamatëvonesë për çdo ditë të vonuar.
Postimi i plotë i Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Elbasan Adi Qose
Vlefshmëria e taksave ka përfunduar në 2022 dhe kur paraqiteni për t’i paguar në 2023 në sportel ju kërkojnë të paguani dyfishin?
Të nderuar qytetarë, taksa e paguar në vitin aktual, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet, ka vlefshmëri 365 ditë. Nëse afati i pagesës së taksave ishte Dhjetor 2022 dhe ju vendosni t’i paguani në Janar 2023, me paraqitjen tuaj në sportelet e taksave, në zbatim të ligjit, është krijuar detyrimi i prapambetur për vitin 2022 dhe detyrimin aktual për vitin 2023.
Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar do të paguajë një kamatvonesë të barabartë me 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë që nuk është paguar taksa.