Gjiknuri takim me pensionistët e Librazhdit: PS vëmendje për adresimin e nevojave të moshës së tretë

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e qytetit të Librazhdit ku foli për nismat e ndërmarra nga qeveria dhe vëmendjen e shtuar ndaj kësaj moshe.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, theksoi se qeveria socialiste ka treguar një fokus të veçantë për të ndihmuar moshën e tretë.

 “Qeveria ka bërë maksimumin për të adresuar këtë situatë të vështirë duke dhënë paketa të ndihmës ekonomike për adresimin e krizës.  U dhanë dy paketa për tre muaj, pra për një periudhë që pati një rritje të çmimeve. Ka ndërmarrë masa për të mbajtur çmimin e energjisë siç ka qenë, pa e rritur. Jo siç ndodhi në vende të tjera. Kjo është e vërteta.  Buxheti i shtetit harxhoi vitin e kaluar mbi 500 milion euro vetëm për të kompensuar mosrritjen e çmimit të energjisë. Nga ana tjetër ne mbajtëm dhe premtimin edhe për rritjen e pensionit në bazë të inflacionit”, tha ai.

Gjiknuri u shpreh se dhe shpërblimi i fundvitit dhe paketat e ndihmës janë në dobi të pensionistëve në mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimeve si pasojë e luftës. “Kryeministri Rama deklaroi dhe një premtim tjetër që ne do ta bëjmë realitet shumë shpejt. Ju e dini që shumë nga këto kompanitë energjetike për shitjen e energjisë se u rritën çmimet kanë nxjerrë fitime të mëdha. Ne kaluam një ligj në Parlament për ti tatuar ata në mënyrë të jashtëzakonshme. Pra, unë si qeveri mbajta koston që mos ta rris çmimin. Atëherë unë do t’u marr paratë këtyre kompanive, jo duke u rënë në qafë atyre, ta mbajnë fitimin se sjemi kundër që të zhvillohen, por këto para’ do t’ua shpërndajmë njerëzve.  Paratë që do të merren nga këto kompani, do t’u shpërndahen pensionistëve. Pra, do të jetë një paketë e tretë, shumë shpejt brenda prillit, ku do t’u shpërndahet pensionistëve një shpërblim tjetër”, tha  numri dy i socialistëve.

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u shpreh se këto vendime të qeverisë nuk janë për fushatë, por masa konkrete për të ndihmuar moshën e tretë.  Gjiknuri deklaroi se këto akuza po bëhen nga opozita e cila kërkon që të krijojë alibinë për humbjen e radhës që e pret.

“Disa thonë tani që po e bëjmë thjesht për fushatë. Nuk është çështja e fushatës. Ka dhe akuza se ata këtë do thonë gjithmonë. Ata vetëm do akuzojnë sepse po përgatisin justifikime për humbjen e radhës. Njëherë thonë na vodhën votat. Tani do thonë i vodhën votat me pensionistët. Gjëra të tilla do dëgjojmë gjithmonë. Ama ajo ç’ka po bëhet është në të mirën tuaj. Shumë shpejt do merrni shpërblimin tjetër i cili do të shpërndahet për pensionistët. Nga ana tjetër së fundmi qeveria ka miratuar dhe një politikë të re shëndetësore për ata që janë me diabet. Tani po bëhen fashat falas. Pra, testimet e gjakut për diabetin do të bëhen falas nga shteti”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve shprehu besimin se PS do të fitojë bindshëm në Librazhd, ndërsa nënvizoi se dyshja Berisha-Meta nuk kanë çfarë t’i ofrojnë më vendit.

“Zgjedhjet duam t’i fitojmë, jo thjesht për të mbajtur flamurin e pushtetit sepse Partia Socialiste ka fituar gjithmonë në Librazhd. Qeveri – bashki të jemi një.  Ne nuk duam që bashkitë tona të kthehen në luftëra politike. E vetmja gjë që thotë Sali Berisha është ky vend ka nevojë për revolucion për përmbysje. Pse do marrim armët ne do luftojmë, do përmbysim qeverinë tonë? Dëshirë vetëm ai ka për ta përmbysur. Njerëzit mund të kenë kritika dhe kritika e zhvillon shoqërinë.  Berisha me Metën, që na janë bërë bashkë, duan si e si të kthehen në pushtet. Unë nuk shoh asnjë rrezik nga ata. Përveç dëshirës për destabilitet ata nuk ofrojnë asnjë alternativë zhvillimi. Nuk e pranon njeri as nga ndërkombëtarët. Ai ka hallin e tij. Ka ardhur dhe ish – presidenti e janë bërë bashkë. Thotë dhe ai: të më jepet dhe mua shansi. Njeri i stërprovuar që e ka tkurrur partinë, për shkak të imazhit, në nivele pothuajse të papërfillshme në elektorat”, deklaroi Gjiknuri.