Fundviti mbyllet me mbrëmje “Gala”/ Kryebashkiaku Llatja i akordon çmimin “ Qytetar Nderi” pesë ikonave të qytetit

Fundviti pati një seri ngjarjesh të rëndësishme këtë vit në Elbasan. Pas shumë shfaqjesh dhe koncertesh, ku vlen të përmenden 60 vjetori i krijimit të Teatrit “ Skampa”, festivalit të Teatrit Ndërkombëtar Bashkohor “ Skampa”  si edhe shumë aktivitetesh të sukseshme artistike, ka kulmuar me një performancë të artistëve të muzikës klasike në një mbrëmje Gala.

Mes interpretimesh të emrave më  të  shquar të muzikës klasike, për një  publik artdashes dhe të zgjedhur, Qendra e Artit Elbasan ka mbyllur sezonin artistik me koncertin “Gala”, në Elbasanin e traditave kulturore, e artistike.

Mbrëmja “Gala” e fundvitit  shpërtheu në një masë emocionesh të paharrueshme në sallën e këtij teatri me shumë vlera, ku nuk ka munguar pjesëmarrja e shumë intelektualëve dhe artëdashësve elbasanas të cilët janë të shumtë.

Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja, edhe këtë vit kjo mbrëmje pati jehonën e saj, si edhe vlerësoi me çmime pesë artistë të njohur kombëtarisht.

I ftuar në skenën e teatrit, për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimet e tij dhe institucionit që ai drejton, kryebashkiaku Llatja i ka dorëzuar pesë artistëve elbasanas edhe çmimin “Qytetar Nderi” që sipas tij, është një çmim që këta artistë e meritojnë, pasi kanë dhënë kontributin e tyre në fushën e artit kombëtarisht dhe më gjerë. 

Nata Gala është nata përmbyllëse e një sërë aktivitetesh që bëhen në Teatrin Skampa, ku vlerësohen edhe një sërë figurash të Elbasanit. Në këtë vit festuam edhe 60 vjetorin e krijimit të teatrit, ndaj vlerësuam shumë figura të njohura, që për ne janë ikona të qytetit sot e kësaj dite.

  Ndaj me miratimin e Këshillit Bashkiak, ne kemi shpallur Qytetar Nderi pesë artistë të merituar, duke ftuar të parën në skenë të tërheqë këtë çmim aktoren e njohur Veronika Papa, me motivacionin “Për rolet e saj plot energji e profesionalizëm në teatrin “Skampa” dhe atë të ekranit të televizioneve shqitare, ku përfaqësoi vlerat më të mira elbasanase”.

Fatbardh Marku, ikonografi i njohur i Elbsanit, artist në të gjitha përmasat e tij,  i cili ka marrë edhe titullin “ Kalorës” nga Vatikani,  i cilësuar si një mik i mirë i qytetit nga kryebashkiaku Llatja u vlerësua me titullon “ Qytetar Nderi”  me motivacionin  “Për arritjet e suksesshme në fushën e skenografisë, kostumografisë teatrale e filmit shqiptar, si edhe për atë që ka përfaqësuar për artin dhe punën në elbasan”.

Dhimitër Topuzi, aktor i mbi 100 roleve në teatro dhe filma e estrada të Elbasanit, shpirti i skenës së teatrit ishte personazhi i  tretë të cilit kryebashkiaku i dorëzoi titullin “Qyetar Nderi” me motivacionin “Për kontributin dhe punën e palodhur në shumë role si aktor i estradës dhe komedisë së teatrit të Elbasanit”.

Në skenën e teatrit “Skampa” u ngjit edhe artisti, prezantuesi, moderatori, Eduart Çala, i cili është i njohur për jetën e tij të gjatë artistike, që sipas kryetarit të Bashkisë së Elbasanit  “Eduart Çala është  një vlerë e madhe për Elbasanin, ndaj i akordohet çmimi “Qytetar Nderi”  me motivacionin  “Për kontributin e shquar në skenën e teatrit Skampa, si aktor i shumë roleve të spikatura, si edhe për punën e palodhur si regjizor i shumë shfaqjeve për fëmijë në Elbasan dhe më gjerë”.

Aktori i njohur Ilmi Belshaku, i cili e vlerëson teatrin si shtëpinë e tij, pasi ka luajtur mbi 300 role në skenën e teatrit “Skampa” me motivacionin  “Për interpretimin dinjitoz në skenën e humorit elbasanas, si aktor i shumë roleve të spikatura”, Këshilli Bashkiak dhe Bashkia i jep titullin “Qytetar Nderi”  i Elbasanit.

Dhe në fund kryetari i Bashkisë, do të akordonte me një çmim super të madh, të gjithë orkestrën e harqeve të  Elbasanit. “Për në fud një vlerësim për orkestrën e Elbasanit, një mirënjohje  për të gjithë orkestrën e harqeve,  e cila ka arritur të na nderojë dhe përfaqësojë në të gjitha koncertet që kanë marrë pjesë, ndaj janë nder i qytetit”, tha Z. Gledian Llatja. Për të tërhequr titullin “Qytetar Nderi”, është ftuar drejtuesi i orkestrës Zeqir Sulkuqi një çmim me motivacionin “për kontributin e dhënë në gjallërimin e jetës së koncerteve në cilësinë e lartë artistike, si edhe në skenën e qytetit të elbasanit dhe përfaqësimit dinjitoz të tij në skenat mbarë kombëtare dhe mbarballkanike”.

Kjo mbrëmje “Gala” e cila mbylli edhe aktivitetet për këtë fundvit, tregoi edhe një herë që Elbasani nga dita në ditë i ka dhënë një rëndësi të veçantë artit dhe kulturës, si një traditë e kahershme.