“Mësuesi i Vitit 2022” Llatja: Është mësuesi ai që mban flamurin e brezave

Elbasani, qyteti i arsimit ndër shekuj, vazhdon traditën. Ndaj në këtë fundvit një mirënjohje shkon ndaj mësuesve më të spikatur të vitit në Elbasan, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre të vyer në shërbim të fëmijëve e të të rinjve, duke bërë të mundur përmirësimin e përvitshëm të cilësisë së arsimit në Shqipëri. Ndaj në një takim përmbyllës për këtë vit që po lëmë pas, kryetari i bashkisë Z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut  Damian Gjiknuri, dhe Ministria e Arsimit Evis Kushi, kanë vlerësuar me certifikata mirënjohjeje mësuesit e nderuar të Elbasanit.

Sipas kryetarit Z. Gledian Llatja merita për të rritur një brez të sigurtë, të shëndetshëm dhe inteligjent, është një meritë e të gjithëve ne. Por duke ju drejtuar  mësuesve ai pohoi se “për këtë ju jeni flamurtarët, jeni ju ata që mbani flamurin e brezave të rinj. Ndaj ju jap falenderimet e mia pa fund për ju, për punën e palodhur që bëni me fëmijët tanë”.

Duke e cilësuar sfidë infrastrukturën shkollore, kryebashkiaku e vuri theksin tek terrenet sportive, tek aktivitetet jashtëshkollore, në qendrën e fëmijëve, Teatri Skampa, por edhe Këshilli Rinor. Një falenderim kanë dhënë edhe drejtuesi politik Damian Gjiknuri si edhe Ministria Evis Kushi, të cilët falenderuan rolin e mësuesit për punën e palodhur të tyre.