Intensiteti i lartë i shirave rënë në të gjithë vendin, përfshiu edhe Elbasanin, ku shkaktoi edhe situata të vogla problematike por që kanë pasur nevojë për ndërhyrjen e Shtabit të Emergjencave Civile, si edhe Ndërmarrjes së Punëve Publike të Bashkisë së Elbasanit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja, i cili që në fillim të shirave ka monitoruar situatën e reshjeve të shiut në të gjithë territorin e Bashkisë së Elbasanit pohoi se sot në mëngjes situata e reshjeve të shiut është vënë në kontroll në të gjithë bashkinë e Elbasanit si edhe Njësitë Vendore të saj.
Sipas tij “problematikat që janë konstatuar kanë qenë rënia e inerteve në akset rrugore kryesisht në atë ndërmjet Gjinarit dhe Zavalinës, një nga Njësitë fundore të Elbasanit, por edhe në disa ara në fushën e Elbasanit. Bashkia më herët ka bërë shumë punë sa i përket pastrimit, si edhe hapjes së kanaleve të cilat kishin 30 vite pa u hapur, ku janë pastruar tërësisht 25 km kanale në të gjithë Njësinë Administrative të Elbasanit, të cilat kanë lidhje edhe me Lumin Shkumbin”.
Duke e vënë theksin tek zonat problematike në Elbasan ndër vite, Llatja pohoi se “një nga zonat më problematike ka qenë zona e Teqes e cila ka shkaktuar dëme të mëdha ndër vite, por këtë vit nuk kemi pasur problematika, pasi ne kemi punuar për të parandaluar përmbytjet. I vetmi problem është nga vetë banorët të cilët kanë bllokuar kanalet kulluese. Por masat janë marrë, pasi ne gjatë të gjithë kohës kemi treguar që jemi në punë dhe në mbështetje të qytetarëve, dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi i Emergjencave Civile në Prefekturë, Llatja shtoi se bashkëpunimi është i plotë edhe në bashkëpunim me Emergjencat e Bashkisë, si edhe me të gjitha strukturat përkatëse.