Qendra Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta në Elbasan, në 7 vjetorin e themelimit të saj, ka mbledhur bashkë të gjithë aktorët vendorë në një aktivitet me qëllim prezantimin e punës që kjo qendër realizon çdo ditë.
Deputetët e Elbasanit dhe të gjithë aktorët lokalë njëzëri treguan solidaritet për këtë qendër, duke shprehur mbështetjen e plotë të doktorëve dhe ekipeve të dedikuara që përballen çdo ditë me sfida e paragjykime, si edhe për t’i përgëzuar për punën titanike që kjo qendër bën për të mposhtur barrierat.
Kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja, pohoi se “kjo qendër sa vjen dhe më bëhet më e fortë, ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me qendrën me qëllim një zhvillim të qëndrueshem në qytet. Ne kemi disa qendra që trajtojmë fëmijët me aftësi ndryshe në qytet, ndaj duhet të vejmë veten në rolin e mësuesit, psikologut, familjarit dhe kjo ëhstë një përgjegjësi. Ne jemi përpjekur maksimalisht për të ndihmuar këto qendra në bashkëpunim edhe me shoqata të ndryshme, por falenderojmë edhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për këtë qendër. Ne si bashki i kemi dhënë siguri për investim të qëndrushëm në këtë qendër, dhe kjo ëhstë një gjë shumë e mire”.
Rektori i Universiteti Skënder Topi, në fjalën e tij, falenderoi prindërit dhe stafin e kësaj qendre, duke ngritur zërin që të thyhet mentaliteti për këtë shtresë të fëmijëve, duke i bërë thirrje edhe bizneseve të kontriubojnë për këto qendra që në fokus kanë trajtimin e këtyre fëmijëve.
Bora Muzhaqi, zëvëndësministre e Arsimit Sportit dhe Rinisë vlerësoi rolin e prindërve të cilët jetojnë me këta fëmijë, ndaj detyra jonë është që ne duhet t’i pranojmë këta fëmijë kështu si janë si pjesë të shoqërisë sonë dhe të bëhemi bashkë për t’i qëndruar afër. Ky është mesazhi më i mirë që ne duhet të japim si pjesë e ndërgjegjësimit, ndaj do të jem gjithnjë në mbështetjen tuaj”.
Qendra Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta, është një hapësirë ndër më modernet që aplikon metoda bashkëkohore të trajtimit të çrregullimeve të spektrit autik dhe problemeve të aftësisë së kufizuar për fëmijët me nevoja të veçanta të Elbasanit.