Në prag dimri/ Bashkia Elbasan merr masat për sigurimin e ngrohjes në të gjitha institucionet arsimore    

Me uljen e temperaturave që priten gjatë kësaj jave, strukturat vendore të Bashkisë Elbasan janë në gatishmëri për të siguruar ngrohjen në shkolla, kopshte dhe çerdhe.

Në Bashkinë e Elbasanit 168 institucione arsimore përfshirë edhe konviktin parauniversitar “Ymer Tola”, funksionojnë me ngrohje me kaldaja, lëndë djegëse dru zjarri, ndërsa ato shkolla që nuk janë pajisur me këtë sistem, ngrohja bëhet e pjesshme në mënyrë alternative energji elektrike.

Aktualisht teknikët kanë shkuar në të gjitha insitucionet ku edhe po punojnë për kolaudimin e sistemit të ngrohjes aty ku ka, si edhe kontrollin me qëllim që me uljen e temperaturave shkollat të jenë gati për t’iu përgjigjur nxënësve.  Procesi i kontrollit dhe ndezjes së kaldajave kryhet çdo mëngjes dhe pastaj qëndrojnë të ndezura deri afër drekës. Ndërsa për shkollat me dy turne ka dhe një proces ndezjeje pasditeve.

 Në rrethinat e Elbasanit që janë zona dhe pak më të thella ka disa shkolla që ngrohja bëhet me dru. Edhe në këto zona është vënë në prioritet në buxhetin e vitit 2023 ku veç rikonstruksionit të shkollave, nga sobë druri do kthehen ose me soba me pelet ose me kaldaja.

 Në këtë kuadër strukturat e bashkisë së Elbasanit kanë marrë masa për çdo lloj defekti të mundshëm të sistemeve të ngrohjes në institucionet arsimore. Përsa i përket monitorimit dhe realizimit të sigurimit të ngrohjes në objektet arsimore Qendra Ekonomike Arsimit ka marrë të gjitha masat duke siguruar ngrohje për nxënësit për krijimin e kushteve sa më optimale dhe funksionimin normal në zhvillimin e procesit mësimor dhe  edukativ.