Prej disa ditësh kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugëve “Bukurosh Sejdini, “Emin Haxhiademi”, “Dilaver Shkodra” dhe “Dhimiter Paparisto”, në Njësinë Nr 6, në periferi të qytetit. Vetë banorët shprehen se kishte 32 vjet që kjo lagje e madhe nuk kishte njohur investime. Bëhet fjalë për lagjen e njohur si “Teqja”, në dalje të qytetit të Elbasanit.
Flota e mjeteve të ASHP- së po ndërhyn për shtrimin me asfalt të këtyre lagjeve, të cilat pas viteve 90 ka pasur shtim të popullsisë, ku herë pas here sic shprehen dhe vetë banorët janë detyruar që të shtrojnë vetë rrugët para banesave të tyre. Gjatë kohëve të fundit, bashkia e Elbasanit ka kryer një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturë si në qytet dhe fshat, duke i dhënë prioritet rrugëve që prej dekadash nuk kishin njohur investime.
Ndaj punimet për asfaltimin e rrugëve të kësaj zone informale i ka ndjekur nga afër kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, i cili pohoi se “zona e Teqes ka qenë problematike sa i përket urbanizimit, pasi që pas viteve 90 kjo zonë kishte probleme të theksuara në infrastrukturën rrugore, kanalizimeve dhe ujit të pijshëm. Ne para pak vitesh dëmshpërblyem një pjesë të madhe të banorëve të kësaj zone të cilët ishin përmbytur nga prurjet e shiut të rrëmbyeshëm. Duke qenë se kishim probleme me prurjet e shirave në këtë zonë ishte e pamundur të ndërhyje në asfalt. Por sot, kemi hyrë në një aksion në të gjithë Elbasanin për rehabilitimin e të gjithë shtresave asfaltike dhe për urbanizimin e zonave informale. Tashmë ne do ti japim një zgjidhje kanalizimit të ujrave të zeza, si dhe me urbanizimin e lagjeve dhe rrugicave kryesore të këtyre lagjeve. Kemi ardhur deri në periferi të qytetit, kemi shkuar në cdo fshat, në të gjitha rrugët e vjetra të Elbasanit dhe po bëjmë punë që duhet të ishin bërë shumë kohë më parë”, tha z Llatja.
Sipas tij, Bashkia që ai drejton ka në fokus urbanizimin e të gjitha zonave urbane dhe informale që më parë as nuk mendohej se do bëheshin.