Sekuestrohen 33.5 kg kanabis dhe municion luftarak në Elbasan, në pranga 2 vëllezër

Policia ka arrestuar këtë të Shtunë dy vëllezër, pasi mbanin në makinë dhe në banesë, sasinë prej 33.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit S. I., 36 vjeç dhe E. I., 33 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Trebel, Skrapar, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarve iu sekuestruan edhe një pjesë arme zjarri, automjeti me të cilin transportonin lëndë narkotike dhe aparatet celulare.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin lëviznin këta 2 shtetas dhe në banesën e tyre, u gjetën dhe sekuestruan në total, rreth 33.5 kg lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu, të arrestuarve iu gjetën dhe iu sekuestruan automjeti me të cilin transportonin lëndë narkotike, një pjesë arme zjarri, municion luftarak dhe aparatet celulare.Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.