Një 50 vjeçar është arrestuar në Cërrik pasi policia e ka kapur në flagrancë duke ushtruar dhunë kundrejt gruas dhe dy fëmijëve të tyre.
Ndërsa nga policia e Elbasanit janë vënë në pranga dhe dy shtetas të tjerë dhe ka proceduar në gjendje të lirë 7 persona të tjerë.
Njoftimi i plotë i policisë:
DVP Elbasan/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 7 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Evidentohen dhe goditen 4 raste të krimeve mjedisore, vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, procedohen penalisht 3 të tjerë.
Qarkullonte me doza heroine me vete, vihet në pranga 34-vjeçari. Procedohen penalisht 2 shtetas, për moskallëzim të veprimtarisë kriminale të 34-vjeçarit të arrestuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë, Elbasan, Gramsh dhe Librazhd, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe evidentimin e krimeve mjedisore, kanë konstatuar dhe goditur, gjatë 24 orëve, 4 raste të krimeve mjedisore.
-U arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 35 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt pa lejen përkatëse, në një sipërfaqe toke për të cilën nuk disponon certifikatë pronësie, në lagjen “Shënkoll”, Elbasan;
-U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. V., 29 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se i ka ndërtuar një shtesë banesës së tij, pa lejen përkatëse;
-U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Z. T., 19 vjeç, pasi në fshatin Çekrez, Gramsh, u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar lëndë drusore, të siguruar në mënyrë të kundërligjshme;
-U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. T., 26 vjeç, banues në Prrenjas, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar lëndë drusore, të siguruar në mënyrë të kundërligjshme.
—
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin S. V., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, iu gjetën dhe iu sekuestruan doza lënde të dyshuar narkotike heroinë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. XH., 31 vjeç dhe A. S., 36 vjeç, të cilët shoqëronin shtetasin e arrestuar S. V. dhe nuk kallëzuan veprimtarinë kriminale të tij.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin I. H., 50 vjeç, banues në Cërrik, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ndaj 2 fëmijëve të tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasit A. P., 41 vjeç dhe A. R., 44 vjeç, të dy banues në Prrenjas, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta .
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.