Llatja: Së shpejti në treg me bateritë “Made in Albania”

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, i shoqëruar edhe nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kanë parë nga afër aktivitietin që ushtrohet në një nga uzinat e ish-Kombinat Metalurgjik, atë të riciklimit të baterive si edhe prodhimit të aluminit.

Duke e vënë theksin tek ky aktivitet, tek numëri i të punësuarve edhe në këtë uzinë, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja pohoi se  “shpresojmë që së shpejti të dalim në treg me bateritë “Made in Albania” ne i kemi kushtet për të pasur edhe prodhime me bateri, pasi aktualisht është një nga segmentet e industrisë botërore që po ecën me ritme të shpejta, sidomos me makinat elektrike.

 Kjo uzinë është një model i mirë, kemi qenë në kontakt me bizneset sa i përket ndotjes së mjedisit, pasi kjo është më kryesorja. Tashmë ne kemi nisur edhe projektin e mbjelljes së pemëve edhe në zonën industriale, por edhe në qytet, për të pasur një ajër shumë të pastër. Gjithashtu kemi mbështetur të gjithë bizneset të cilat kanë dashur në këtë kohë të vështirë të kryejnë procedura mbështetëse për vendosjen e fotovoltaikëve, dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim edhe në të ardhmen për të gjitha nevojat që ato kanë”.

Nga ana e tij, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri e ka cilësuar këtë fabrikë, si një nga bizneset e rëndësishme të zonës, duke e cilësuar si industri bazë në traditën e industrive para viteve 90. “Janë biznese që sa po vijnë dhe shtohen, janë biznese të cilat kanë nevojë të shtohen. Kam kërkuar edhe nga Ministria e Financave që të bëjmë çmos që t’i japim mbështetjen e nevojshme nga shteti, sidomos për këto industri prodhuese. Më vjen mirë se tashmë edhe tek ne po instalohen panele diellore, shpresoj që edhe politikat nxitëse të qeverisë shumë shpejt të zgjerohen në këtë drejtim me qëllim që edhe të kursejmë energji, të investojmë në prodhimin e energjisë edhe të shërbejë si prodhues të energjisë në rrjetin e energjisë shqiptare. Industria është bazë e zhvillimit, shqipëria siç ëhstë e bekuar me det, dhe natyrë, s’ka pse ta lërë pas industrinë. Elbasani mban flamurin sa i përket zhvillimit të industrisë, dhe është qyteti me zonën më të madhe industriale dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen, që do të kontribuojë në prodhimin e brendshëm. Jam i bindur se kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka punuar shumë, dhe i ka qëndruar pranë bizneseve, duke i ofruar lehtësira për të gjitha problemet që kanë, për lehtësimin e dhënies së lejeve, etj, pasi biznesi për këto ka nevojë”.