Kryeministri Edi Rama pas një sërë takimesh dhe inspektimesh që zhvilloi në qytetin e Elbasanit gjatë ditë së premte, në një postim në rrjetet sociale falënderoi kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja, për punët e bëra gjatë këtij 4 vjeçari, si edhe qytetarët që ishin të pranishëm në takimet e zhvilluara në Elbasan .
“Fundi i një dite të gjatë në Elbasan për mesazhet e falënderimit, të cilat nuk janë dot aq mijëra sa njerëzit që më nderuan me praninë e tyre në takimet e sotme”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri gjatë turit në Elbasan, u shoqërua nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, deputetët e Elbasanit, si edhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri. Kryebashkiaku Llatja i prezantoi kryeministrit rezultatet e prekshme të punës për Elbasanin e Rilindur dhe për sfidat e kësaj Epoke të re Kërcënimi për botën ku jetojmë, ku kemi detyrën të përballemi e të triumfojmë, siç bëmë me tërmetin e me pandeminë. Në fokus të punës së tij ka qenë dhe janë qytetarët, dëgjesat dhe problemet që ata kanë, ç’ka janë vlerësuar edhe nga kryeministri Rama, duke përshëndetur dhe vlerësuar punën e bërë nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, dhe duke i quajtur qytetarët elbasanas “njerëz të punës”.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë, të cilët i nxiti krijimin e iniciativave sipërmarrëse bazuar në potencialet e trashëgimisë kulturore që ofron Elbasani.
Po ashtu Rama u takua me vajza e djem të talentuar dhe të mirë në mësime, por edhe të interesuar për mbarëvajtjen e gjërave jashtë shkollës. Kryeministri u njoh me nga afër me të rinjtë e shkollave 9-vjeçare, që krahas orëve të përditshme mësimore, po angazhohen edhe në zejtari, agronomi e bujqësi, duke i kthyer në mini-ferma oborret e shkollave, një alternativë dhe stil jetese me mjaft rëndësi për të ardhmen dhe edukimin e tyre.
Gjatë vizitës në Elbasan, Rama inspektoi një serrë të fidanëve të perimeve për vendin e për eksport në Gjergjan, investime me teknologji të gjelbër të fjalës së fundit me zero ndotje në mjedis, me më pak kosto për fermerin dhe me eliminimin e pesticideve të tepërta. Në takimin me fermerët në Shirgjan, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Rama, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja tha se “në fushën e Elbasanit në 2019 kishte 15 hektarë serra dhe sot, falë investimeve në sektorin e bujqësisë, janë 46 hektarë. Pra 300% më shumë dhe dyfishim vit për vit të prodhimit për eksport”, u shpreh ai. Ai theksoi se, sot kemi tregje të reja që eksportojnë, kungulli po ikën në Itali dhe sot ne jo vetëm që i prodhojmë të gjitha vetë, por kemi arritur të eksportojmë, kjo falë edhe punës tuaj që është kryesorja.
“Unaza bujqësore ishte një nga investimet më të mira dhe të shumëkërkuara nga ju. Ne do të vazhdojmë investimet me shtimin e serrave, hapjen e pikave të grumbullimit, pikat frigoriferike etj.”, tha kryebashkiaku Llatja. Ndërsa kryeministri e cilësoi shembull fantastik Federatën Bujqësore të Shirgjanit për prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e vajit të ullirit, nga një bashkim vullnetar i mbi 130 fermerëve e fermereve, me një prodhim gjithnjë në rritje të vajit extra vergine ku nga 90 mijë kg në vit, afro 15 ton eksportohen në Kosovë, Itali, Zvicër, vendet nordike e tregje të tjera të BE-së.
Rama ishte i pranishëm në pritjen e organizuar me njerëzit e suksesshëm të qytetit të Elbasanit.
Turi i vizitës së kryeministrit vijoi në shesh, ku qindra qytetarë kanë pritur kryeministrin, si dhe për të parë më nga afër rezultat e prekshme të punës së Bashkisë së Elbasanit në këto katër vite për Elbasanin e Rilindur. Kryebashkiaku Gledian Llatja ka prezantuar punët e bëra në Elbasan, ku theksi ishte tek ndryshimet e dukshme në infrastrukturë, rikonstruksione shkollash, qendra të reja shëndetësore, rrugë të reja dhe ristrukturuara në Njësitë Administrative dhe qytet, terrenet e reja sportive, Auto – Moto Parku ku do të bëhen gara të Formula 1, Lungo Fiume, një shëtitore vetëm për qytetarët etj, ndërsa premtoi se “shumë shpejt është gati projekti për Qendrën e Teknologjisë dhe Industrive Kreative dhe një hapësirë krijuese për artistët e rinj të talentuar, por edhe shumë investime të tjera disa prej të cilave kanë nisur, dhe të tjera do të rinisin për Elbasanin”.