Në Elbasan po shihet mundësia për një unazë të dytë, për të lehtësuar trafikun në rrugën aktuale. Fluksi i shtuar i makinave që i drejtohen Tiranës dhe juglindjes, ka nxitur nevojën për një zgjidhje të re.
Qarkullimi i shtuar në unazën e Elbasanit, po kërkon rrugë të reja për lehtësimin e trafikut. Një e tillë po kërkohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku makinat që i drejtohen juglindjes ose Tiranës, të kalojnë në një unazë të dytë që të shmangë kalimin në afërsi të qytetit.
“Unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar. Prandaj dhe është më se e nevojshme studimi dhe ndërtimi i ByPass-it të qytetit të Elbasanit, duke shmangur kështu zonat urbane dhe rritjen e sigurisë si për përdoruesit e rrugës, ashtu edhe të banorëve të zonave përreth” thuhet në dokumentin e ARRSH.
Konsulenti që do të bëjë studimin, duhet të analizojë zonat ku do të kalojë ky segment dhe ndikimin që do të ketë në ndërtimet e zonës si dhe të gjejë alternativën më të mirë me pasoja më minimale. Projekti këshillohet të nisë në fund të autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas” kjo pikë është një tjetër alternativë për përfundimin e Bypassit.
Rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me 3.75 gjerësi secila, një korsi emergjence, bankinë të asfaltuar, si dhe ishull trafiku.
E kanë quajtur “Rruga e Vdekjes”, pasi aksidentet për shkak të shpejtësisë janë të shpeshta. Për banorët përqark zonës, aksi kombëtar Korçë-Pogradec është kthyer në makth.